Welcome to Vlora

Llogora, ky fshat turistik që po mrekullon turistët

Llogora, ky fshat turistik që po mrekullon.Të shkosh në plazhet e gjirit të Vlorës nga Uji i ftohtë e deri në Orikum dhe të mos lësh një pjesë nga koha jote për në Llogara, mos thuaj që isha në Vlorë. Një vakt në Llogara, mëngjes apo drekë, është një kënaqësi mbresëlënëse. Ushqimet blegtorale bio këtu janë fantastike, ose, ndoshta kështu të duket mes freskisë së pishave, që nga mishi i pjekur në hell, nga djathi, gjiza, salca e lëkurës e deri te arapashi, gatim tradicional i zonës me të përbrendshmet e qengjit, miell misri dhe gjalpë. Kënaqësia tjetër më e madhe, është rruga që mbi Dukat e deri në qafë sipër, ku duket Riviera, fshatrat e Himarës, Korfuzi dhe brigjet e Jonit. E shijon këtë mrekulli me makinë, natyrisht duke ecur ngadalë, por edhe duke zbritur here pas here nga makina për të marrë një dorë çaj apo rigon mali, apo për të soditur pishat, që për shkak të erës, i ngjajnë një flamuri të shpalosur, dhe bash për këtë ato quhen pisha flamur.
Në qoftë se je i ngeshëm dhe kurioz mund të hysh thellë në pyll dhe të relaksohesh me pamjet e mrekullueshme dhe bimësinë që gjen atje. Llogaraja është shfrytëzuar si vend pushimi që në periudhën komuniste. Këtu ishin ndërtuar kampe pushimi për punonjësit dhe për fëmijët. Tani aty është krijuar një fshat i bukur turistik me hotele, motele, restorante dhe mjedise argëtuese çlodhëse dhe argëtuese. Vegjetacioni i dendur dhe klima e freskët në verë dhe e ashpër në dimër, me mundësi shfrytëzimi për lojëra dimërore, shto këtu edhe rrugën që shkon nga Tirana për në Sarandë e bëjnë këtë vend nga më të vizitueshmit në Shqipëri. Fshati turistik Fshati Turistik Llogora ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar Llogora. Ajo ka një sipërfaqe prej 1.2 ha. Në brendësi të saj ndodhen 16 vila druri, hotel 4 katësh me pishinë të brendshme, Beer Club, Tavernë, Restorant, Bar, fushë basketbolli, sallë konferencash dhe dy salla të vogla të cilat mund të përdoren për festa të vogla familjare ose mbledhje.
Në stinën e verës kur temperaturat janë të larta në qytetet e tjera të Shqipërisë, në Llogora temperatura gjatë ditës është 10 gradë Celcius më e ulët, ndërsa gjatë natës arrin 10-12 gradë Celcius. Kjo ju jep një freski gjatë gjithë ditës dhe një gjumë te ëmbël gjatë natës. Ndërsa në periudhën e dimrit Fshati Turistik Llogora mbulohet nga dëbora.
Në brendësi të territorit shëtisin të lirë drerë dhe sorkadhe të cilët i bëjnë pushimet në këtë vend akoma më magjike. Në raste festash, Fshati Turistik Llogora organizon mbrëmje argëtuese me muzike live, darka speciale dhe surpriza te tjera. Fshati Turistik Llogora ofron mundësi argëtimi për të gjitha moshat, duke filluar që nga pishina, që ndodhet në brendësi të hotelit dhe është funksionale gjatë gjithë vitit, një fushe basketbolli, bilardo, ping-pong, table-soccer, mjetet e nevojshme për trecking (ecje në mal) etj. Gjithashtu, sipas dëshirës, në dispozicionin të turistëve ka udhërrëfyes që shoqërojnë në zonat më të bukura të parkut kombëtar Llogora si: Pllaja e Jul Cezarit, Pisha Flamur, shpella të zonës, në Dukat etj.
Në Fshatin Turistik Llogora ndodhen tri salla konferencash me kapacitete përkatësisht 160, 30 dhe 20 persona, të cilat mund të përdoren për konferenca, seminare, trajnime, mbledhje biznesi, etj. Këto salla janë të pajisura me të gjitha sistemet bashkëkohore audio dhe vizive. Llogara-Dukat, Orikum-Karaburun: një zonë, dy ekosisteme Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman).
Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimin e turistëve të shumtë vendës dhe të huaj.

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.