Shumë janë ata që mendojnë se Vlora është një destinacion i përkryer vetëm për stinën e verës. Por jo të gjithë e dinë që Vlora është një destinacion mjaft i bukur edhe për stinën e dimrit. Në Vlorë ka shumë për të parë, por ka edhe kuzhinë të shkëlqyer. Historia e qytetit dhe deti që është pjesë e historisë së tij, krijojnë një joshje të fortë për të vizituar Vlorën. Ka shumë motive pse të shkoni në Vlorë dhe po aq gjëra që mund të bëni atje. Na ndiqni me rekomandimet tona në rubrikën Destinacion.
Si të shkoni atje?
Më e mira është të përdorni makinën tuaj, për më shumë komoditet dhe liri në udhëtim. Por mund të përdorni pa hezitim linjat e përditshme të autobuzëve, që nisen nga Tirana për në Vlorë. Në sezonin e verës, dihet se sa shumë rëndohet trafiku nga radhët e gjata të makinave që udhëtojnë drejt jugut. Ndërsa në dimër, ju nuk do të përballeni me trafikun e rënduar dhe nga kjo gjë, Vlora bëhet e aksesueshme për 2 orë. Kujdes, merrni rrugën tradicionale të hyrjes për në qytetin e Vlorës dhe jo bypass-in, se ky i fundit do t’ju zgjasë kilometrat dhe do ju çojë në Orikum.
Pse të shkoni?
Nuk ka gjë më të shëndetshme se sa të merrni aromën e detit në ditë dimri. Të flini në hotelet buzë detit, të zgjoheni nga zhurma e dallgëve, në një qytet që gjatë verës nuk pushon asnjëherë, ndërsa gjatë dimrit mpleks përgjumjen e stinës me lokalet luksozë, është një eksperiencë që nuk mund të mos e provoni. Zakonisht qytetet bregdetare në dimër e humbin shkëlqimin e tyre, ndërsa Vlora shkëlqen edhe në dimër, pa shumë turistë, por me jetën normale të banorëve të vet, të cilët e duan Vlorën dhe jetojnë aty çdo ditë.
Çfarë të bëni në Vlorë
Duke ecur e shëtitur, shkoni në lagjet e vjetra të qytetit, ku do të zbuloni një Vlorë shumë të ndryshme, më pak të zhurmshme, por më intime dhe mikpritëse. Këshilla jonë është të merrni si pikë referimi sheshin e Bashkisë së Vlorës dhe të filloni të eksploroni që andej.
Qyteti i vjetër gjarpëron nëpër një labirint rrugicash dhe sheshesh me dyqane karakteristike, kafene të vogla, veçanërisht të njohura nga banorët, shtëpi antike, por edhe ndërtesa dekadente, të cilat dëshmojnë për një histori të vështirë shoqërore.
Pastaj drejtohuni për te Rruga Justin Godard, një rrugë-muze, dikur rruga kryesore e Vlorës, me shtëpi të ulëta, shtruar me gurë dhe dyqane vërtet interesante. Kompleksi urban, i cili e ka marrë emrin nga avokati i famshëm francez Justin Godard, financier i ekspeditës arkeologjike të Apolonisë, ruan vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore.
Rruga Justin Godard do t’ju rikthejë në pikën fillestare të ecjes suaj, që është Sheshi i Flamurit, por gjatë rrugës mos humbisni rastin të admironi ndërtesat e shumta dykatëshe në gur të bardhë, me fasadat e përshkuara nga vija të holla gri, ballkone në stil neoklasik, dritare drejtkëndëshe me grila me ngjyra dhe çati të pjerrët me tjegulla spanjolle.
Nëse keni kohë, shfrytëzojeni për të vizituar edhe degët e rrugës dytësore të rrugës Justin Godard, të cilat të çojnë tek ish-pazari, te lagjia e hebrenjve, klubi Labëria, ish-sinagoga dhe tek Xhamia e Kuqe.
Një ndalesë tjetër, shumë e rëndësishme, është sheshi qendror i Vlorës, “Sheshi i Flamurit”, ku ndodhet edhe Monumenti i Pavarësisë, një vepër e projektuar dhe ndërtuar për të përkujtuar përpjekjet e bëra nga populli shqiptar për të fituar lirinë. Vepra është inauguruar më 28 nëntor 1972, me rastin e 60-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe çdo vit është në qendër të festimeve të festës kombëtare.
Praktikisht do të jetë e pamundur të mos vërehet ky grup statujash prej bronzi me lartësi 12 m, i cili, duke ndjekur tendencat arkitekturore dhe stereotipet e kohë, paraqet në pjesën e sipërme një flamurtar, dhe në pjesën e poshtme, personazhet përfaqësuese të Lëvizjes së Pavarësisë Shqiptare.
Po kështu, mos e humbisni një vizitë në Muzeun e Historisë, një ndërtesë karakteristike dykatëshe, ku ruhen objekte arkeologjike dhe historike, duke filluar nga mesjeta e deri më sot.
Nga koleksioni, i cili përbëhet nga gjetje të gjetura edhe në qytetet antike të Amantias, Orikumit dhe Kaninës, vëmë në dukje edhe dëshmitë e periudhës mesjetare, si dhe arkivolin origjinal të patriotit shqiptar, Avni Rustem, një arkivol mjaft i pazakontë sepse është prej plumbi dhe me një pjesë xhami. Muzeu Historik i Vlorës mund të vizitohet nga e hëna në të diel, nga ora 8.00-18.00 dhe bileta e hyrjes kushton 100 lekë.
Gjatë vizitës në Vlorë, mund të bëni një vizitë tjetër interesante në Muzeun Etnografik, ku mund të shihen punimet e metalit dhe drurit, që datojnë në shekullin 16-19, veshje dhe qëndisje karakteristike, vegla për peshkim, kostume dhe qilima.
Por, përtej koleksionit të pasur dhe të larmishëm të gjetjeve, është vetë ndërtesa që meriton një vizitë më vete. Monumenti, u zgjodh në vitin 1908 si seli e Shoqatës Atdhetare Labëria, ndërsa një vit më vonë, priti shkollën e parë shqipe për vajzat nga Vlora.
Në qendër të Vlorës ndodhet edhe Xhamia Muradie, një xhami e lashtë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, e ndërtuar në stilin e përsosur sulltanesk nga Sinan Pasha, një arkitekt shqiptar i njohur për projektimin e Xhamisë së Madhe Suleymaniyye në Stamboll. Do ta gjeni lehtësisht duke zbritur nga Sheshi i Flamurit në në Bulevardin Ismail Qemali drejt portit.
Ajo që të bie në sy në xhaminë Muradie është para së gjithash pamja e jashtme, falë alternimit të përsosur të paralelopipedëve prej guri dhe tullave të kuqe; të gjitha të zbukuruara nga prania e një kubeje të mbuluar me pllaka të kuqe dhe një minareje të ndërtuar me gurë të bardhë.
Në fund fare, planifikoni një shëtitje buzë detit, nëpër pedonalen e Vlorës, që përbën edhe një tjetër krenari të qytetit.
Ushqimi dhe akomodimi
Si çdo qytet, edhe Vlora ka historinë, kulturën e saj, pa harruar kuzhinën dhe gatimet tipike vendase. Meqënëse, në të kaluarën Shqipëria ka qenë e ndikuar nga dominimi turk, kuzhina vendase ruan zakonin e përdorimit të gjerë të erëzave orientale.
Duke qenë një vend që shtrihet sa në mal sa edhe në det, kuzhina në Vlorë ka në përbërje si mishin ashtu edhe peshkun. Në Vlorë ju mund të hani që nga mishi në hell, arapashi, tava me peshk, deri tek ullinjtë, djathi i dhisë, e byreku. Si traditë, pija kryesore është rakia, ballë kazani.
Kohët e fundit, nisur nga afërsia, kuzhina shqiptare është ndikuar shumë nga ajo italiane. Pjesa më e madhe e shefave të kuzhinës është specializuar në Itali dhe ata kanë sjellë prej atje mënyrat më perfekte të gatimit të peshkut. Prandaj sot, nëse ka një vend që ia vlen për të shkuar dhe ngrënë peshk të freskët e të gatuar në perfeksion, është Vlora. Mund të zgjidhni cilindo restorant që dëshironi dhe do të hani peshkun më të mirë të jetës suaj. Ne rekomandojmë “Tre forchette Restaurant”, “Restorant Titanik” dhe “Restorant Joni”. Ndërsa për të fjetur, ju kujtojmë se Vlora ofron një infrastrukturë të plotë akomoduese, me kushte mjaft të mira, ku çmimet nisin nga 40 euro deri në 100 euro për një dhomë dyshe. Bëhet fjalë për hotele me 2 – 5 yje, ku kanë të përfshirë edhe mëngjesin.
Neritana Kraja
Shto koment