Teksa ditën e sotme u kthye sërish kufizimi i orarit të lëvizjes në orën 22:00, shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj u shpreh se kjo masë duhet të qëndrojë dhe për 2 javë të tjera.
Në një intervistë për Report Tv, anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se periudha e festave ka shtuar shumë dhe kontaktin mes njerëzve, ndaj duhet kohë për të parë dhe impaktin e saj.
“Ky është një proces shumë dinamik dhe nuk mund të themi që kemi arritur numrin. Varet se sa respektohen masat dhe përgjigja është më se e saktë. Jemi në datën 5 dhe deri në datën 20 dhjetor nuk kemi respektuar aq shumë masat që ishin më parë. Situata është shumë më mirë se sa ka qenë. Do të ketë oshilacione me ulje dhe rritje të vogla. Vlerësimin e tanishëm ne do e bëjmë pas 2 javësh.
Duhet të presim që të shohim si do jetë ecuria e infeksionit. Me ardhjen e vaksinës është diçka pozitive. Shqipëria po ndjek një model të vetin, por me pika referimi nga OBSH dhe disa shtete të tjera. Unë personalisht mendoj që ne duhet të presim me këto masa që kemi. Na duhen dy javë për të bërë një vlerësim. Ndërsa për vaksinën, nuk besoj se na interesojnë shifrat apo gara midis shteteve, e rëndësishme është që fillon një proces dhe do të ketë një përfundim” – tha Brataj.
Ditën e sotme, Urgjencës Kombëtare iu shtua një flotë prej 36 ambulancash. Për këtë, Brataj shpjegoi se me çfarë janë të pajisura ato teksa theksoi se këto ambulanca të reja janë të përshtatura për transportimin e pacientëve në rrugë të gjata.
“Këto janë ambulanca të pajisura njësoj të gjitha nuk ju mungon asgjë veçse ventilatorit të cilin e kemi në 8 autoambulanca të tjera. Këto janë për transportime të gjata për disa orësh. Ka dhe barrela të reja. Këto janë me palosje automatike dhe mund të futesh në çdo lloj ambienti, jo vetëm në asfalt. Seti i traumës është i përbërë nga dy komponentë, ai pediatrik i verdhi, ose në rast të rrituri përdoret barrela e madhe me bllokuesin e kokës që në rast se ka frakturë të cervikales e garanton që në vendngjarje që të mos ngelet i paralizuar.
Tek një çantë është seti i mobilizimit të frakturave të gjymtyrëve që përdoret me vakum me pompën e tyre që garantojnë si mosdëmtimin e indeve të buta por dhe të mos lejojnë hemoragjinë e këtyre frakturave deri në spital. Kemi dhe të gjitha pajisjet që shërbejnë në rastin e një arresti kardiak. Mund të bëjmë goditjen elektrike. Kemi dy bombola oksigjeni 10 litërshe 200 atmosferë që do të thotë se ka 4000 litra oksigjen plus Brenda çantës së medikamenteve kemi 2 bombola dy litroshe që shkojnë 4400 litra oksigjen. Sistemi i oksigjenit nuk është si dikur. Ky është një spital udhëtues. Ne kemi synim që të mbërrijmë sa më shpejt tek pacienti” – tha Brataj.
Brataj tha se në 2 vitet e fundit, Urgjencës Kombëtare i janë shtuar 80 ambulanca të reja me pajisjet më të fundit.
Në total, në dispozicion të Urgjencës Kombëtare janë 331 ambulanca dhe se automjetet e reja do të vendosen në dispozicion në rastet më të rrezikshme.
“Koha mesatare për vitin e kaluar ka qenë 13.8 minuta. Kur ka qenë 15 për zonat urbane dhe 25 për zonat ekstraurbane. Për këtë vit në shërbimet për COVID, mund të ketë një lëvizje të kohës për shkak dhe të përgatitjes së mjekëve, veshjes me veshjet e posaçme mbrojtëse. Në 2018 ne morëm 32 ambulancat e para, pastaj dhe 5 ishin shtesë nga Turqia. Në vitin që kaloi në tetor morëm 5 nga Komuniteti Europian, 1 nga qeveria japoneze që shkoi në Krujë dhe 36 të tjera bëjnë 80 ambulanca të reja nga viti 2018. Në këto 5 vite kanë qenë 100 ambulanca që kanë ardhur shtesë.
Shqipëria ka 331 ambulanca që janë në dispozicion të gjithë flotës. Ajo që ne insistojmë është që këto janë për urgjencë kur ka rrezik jete, pra në raste të një arresti kardiak. Ndërsa disa të tjera që ne po i plotësojmë me pajisje janë për transporte normale për shërbime të tjera që kryejnë dhe spitalet. Janë 125 vende të caktuara nga të cilat 100 janë active” – tha Brataj.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri u shënua një rritje e rasteve të koronavirusit ku këtë të martë u raportuan 660 raste të reja dhe 11 viktima.
Shto koment