Sipërmarrjet e sektorit të turizmit janë duke punuar intensivisht për të përgatitur sezonin e ri turistik, ndërsa grupimet e ndryshme të këtij sektori kanë filluar të artikullojnë kërkesat e para ndaj institucioneve shtetërore që mbikqyrin sektorin.
Shoqata Shqiptare e Operatorëve Turistikë, e krijuar nga kompani profesionale turistike shqiptare, për të përfaqësuar interesat e operatorëve turistikë, ka kërkuar me urgjencë kompozimin e Komitetit Këshillimor të Sektorit Privat të Turizmit, që duhet të ishte funksional sipas ligjit.
Në një takim me kreun e Ministrisë që mbulon këtë sektor, ky komunitet ka deklaruar se është e nevojshme ribërja e plotë e Ligjit të Turizmit.
Si pikë e rëndësishme e këtij ligji është edhe rishikimi i domosdoshëm i nenit për Fondin e Turizmit, ku të përcaktohen burimet. Kërkohet që një pjesë e të ardhurave të tij të vijë nga taksa e qytetit/turistit që i merret hoteleve nga bashkitë dhe, një pjesë tjetër nga taksat që paguajnë e gjithë pjesa tjetër e sektorit të turizmit si turoperatorët, agjenci turistike, guidat, restorantet, transporti turistik, etj).
Sipas bizneseve, përdorimi i këtij Fondi, të jetë për mbulimin dhe mbështetjen e sektorit gjatë krizave si ato që kalojmë.
Bizneset duan që të bëhet ndarja e saktë e Turoperatorëve nga Agjencitë turistike, të zgjatet vlefshmëria e çertifikatës së guidave turistike të paktën me dyfishimin e periudhës së ushtrimit të aktivitetit, nga dy vjet që është aktualisht.
Nisur nga nevoja për burime njerëzore të kualifikuara kërkohet edhe hartimi i një strategjie në mbështetje të edukimit në turizëm si dhe propozohet krijimi i Universitetit Publik të Turizmit.
Në takimin e ministren e Turizmit, është kërkuar gjithashtu edhe stimulimi financiar i turoperatorëve të huaj dhe/ose partnerëve të tyre vendas për sjelljen e çdo turisti të huaj në Shqipëri për një kohëzgjatje, minimumi 4 net akomodimi në strukturat akomoduese në Shqipëri.
Sipas propozuesve, kjo është gjithashtu një politikë investimi e ndjekur nga vendet e tjera, por që tani po bëhet edhe më emergjente për Shqipërinë.
Autoritetet publike nuk kanë dhënë ende një përgjigje për këto kërkesa të sipërmarrësve turistikë.
Shto koment