Welcome to Vlora

Reja mbyll kontratën, ja bilanci i italianit në krye të Shqipërisë

Edoardo Reja është zyrtarisht pa kontratë. Trajnerit italian i ka përfunduar marrëveshja me federatën shqiptare të futbollit e tani pritet vendimi që do të merret për të ardhmen e stolit të kombëtares së Shqipërisë.

77-vjeçari mori drejtimin e kuqezinjve në qershor të 2019, duke drejtuar Shqipërinë në edicionin e fundit të kualifikueseve për kampionatin europian, në dy edicione të Ligës së Kombeve dhe në kualifikueset për kampionatin botëror.

Reja debutoi në ndeshjen e tretë të kualifikuesve për kampionatin europian në Reykjvik, me islandezët që fituan 1-0. Skuadra kuqezi, në atë edicion u pozicionua në vendin e katërt, pas Francës kampione bote, Turqisë dhe Islandës, ndërsa mbeti pas Andorra dhe Moldavia.

Pas kualifikueseve skena ishte për Ligën e Kombeve, ku Shqipëria ndodhej në Ligën C, në grupin katër, së bashku me Kazakistanin, Lituaninë dhe Bjellorusinë. Shqipëria arriti që të sigurojë ngjitjen për një ligë më sipër. Në përfundim të këtij edicioni të Ligës së Kombeve, u vendos që projekti i italianit të vjonte dhe për edicionin e ardhshëm te kualifikueseve të Botërorit, si dhe Ligës së Kombeve. Në 25 mars të 2021 Shqipëria nisi rrugëtimin drejt Katarit, por në fund nuk arriti dot që të zinte një nga dy vendet e para, me Anglinë që doli e para dhe Poloninë që u pozicionua pas saj, kuqezinjtë lanë pas vetes Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon edhe pse arritën rekordin sa i takon pikëve ku grumbulluan 18 të tilla.

Pas kualifikueseve radha ishte për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku Shqipëria e Rejas do të tentonte që të ngjiten në Ligën A, pasi në grup u shortua me Izraelin, Islandën dhe Rusinë, por këta të fundit u përjashtuan për shkak të agresionit që nisi shteti rus ndaj Ukrainës. Në këtë edicion, Shqipëria nuk mori asnjë fitore në katër ndeshjet që luajti duke u renditur në vendin e tretë, duke zhgënjyer jo pak.

Dy miqësoret jo zyrtare me Arabinë Saudite dhe dy takimet zyrtare me Italinë dhe Armeninë ishin dy ndeshjet e fundit të trajnerit Edoardo Reja në kontratën aktuale. Për të theksuar se ndaj armenëve, Shqipëria mori të parën dhe të fundit fitore në këtë vit kalendarik. Edoardo Reja numëron 38 ndeshje me Shqipërinë, me një bilanc prej 14 fitoresh, 9 barazimesh dhe 15 humbjesh. Vetë 77-vjeçari ka shprehur hapur dëshirën se ai kërkon besimin e presidentit Armand Duka për të vijuar projektin së paku dhe për kualifikueset e kampionatit europian që nisin në muajn mars, por do të jetë numri një i federatës shqiptare të futbollit që do të vendosë për zgjatjen ose jo të bashkëpunimit me italianin.

Reja ka vënë theksin se ai ka ndërtuar një skuadër për të ardhmen dhe është treguar besimplotë se mund të kërkojë kualifikimin në kampionatin europian që do të luhet pas dy vitesh, por tani topi ëshë në anën e Dukës, i cili do të marrë vendimin për stolin e kombëtares. Ajo që mund të thuhet për momentin është që Reja nga 1 dhjetori është pa kontratë.

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.