Në një kohë që stafi teknik dhe lojtarët po stërviten për ndeshjen e javës së dytë, drejtuesit e kanë tek e… treta. Fusha e Orikut është në rehabilitim e sipër dhe klubi po bën çmos që ajo të jetë gati më 17 shtator, kur presin në shtëpi Skënderbeun.
Ata duan që ta inaugurojnë fushën e re që në ndeshjen e parë që luajnë si pritës. E megjithatë, duket e vështirë që kjo dëshirë të bëhet realitet. Jo gjithçka e kanë ata në dorë.
TERRENI – E ndërsa ka përfunduar mbushja dhe shtrimi i bazamentit, punimet kanë hyrë në fazën finale dhe pritet shtrimi i tapetit. Ky i fundit do të mbërrijë nga Turqia dhe do të dojë kohën e vet të shtrimit, por edhe të respektimit të rregullave teknike.
Rrjedhimisht lind pyetja, pse janë në siklet bregdetarët kur mund të luajnë në stadiumin “Flamurtari”? E megjithatë, përgjigjja është e thjeshtë: vlonjatët nuk i lejojnë. Deri më tani të paktën nuk ka asnjë marrëveshje.
PENGESA – Burime pranë klubit të Orikut konfirmojnë për “Panorama Sport”, se ka pasur edhe tri takime për këtë çështje mes administratorit Muharrem Jazaj dhe homologut të tij të kuqezinjve, Sinan Idrizi.
Duket pak absurde në fakt, pasi ishte vetë FSHF-ja që paralajmëroi se orikasit do të luanin në të njëjtin stadium me vlonjatët derisa të ishte gati fusha. Në ditën që u hodh shorti, enkas u evitua përplasja për dy klubet.
E megjithatë, të hënën mund të ketë zhvillime për këtë histori. Klubi do të dorëzojë një kërkesë në federatë për të shtyrë përballjen me korçarët. Nëse nuk i miratohet, u mbetet që të zhvendosen në “Loni Papuçiu” apo “Adush Muça”.
STËRVITJA – Drejtuesit më të lartë të orikasve u kanë kërkuar vlonjatëve që t’i lejonin edhe të stërviteshin në Pyllin e Sodës, por sërish nuk ka pasur akord.
Kjo i ka detyruar që të shkojnë sa në Ballsh e Fier dhe kjo po ndodh prej ditësh. Gjë që i ka sjellë kosto të mëdha financiare, që shko në afro 300 mijë lekë të vjetër çdo ditë. Sikur të mos mjaftonte kostoja e transportit vajtje-ardhje, është edhe qiraja e fushës./Panorama Sport
Shto koment