Humbja e Shqipërisë ndaj Izraelit mbrëmjen e djeshme me rezultatin 2-1, e vlefshme për Grupin 2 të Ligës B në Ligën e Kombeve, ka bërë shumë personazhe dhe ish-futbollistë të Kombëtares të reagojnë.
Së fundmi me anë të një postimi në profilin e tij të rrjetit social “Instagram”, ka reaguar ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, i cili ka shkruar se pavarësisht gjithçkaje, përfaqësuesja kuqezi duhet mbështetur më shumë se kurrë në këto momente të vështira.
POSTIMI I PLOTË I ERVIN SKELËS –
“Nga lotët për fitoren me Greqinë, te ankthi i Beogradit, nga ngazëllimi i kualifikimit në finalet e Europianit të 2016-ës, te trishtimi i mbrëmshëm në Izrael, janë të gjitha kapituj që shkruajnë historinë tonë. Jo të gjithë kapitujt e jetës janë të bukur. Në shumë prej tyre derdhim edhe lot, por gjithnjë duhet të kuptojmë se duhet më shumë besim për të parë drejt së ardhmes. Fanella kuqezi nuk ka emër, as timin dhe as të atyre që kanë qenë dhe atyre që do të vijnë.
Fanella kuqezi ka krenarinë e çdo shqiptari. Vetëm kur mban veshur këtë fanellë arrin të kuptosh sesa e rëndë është, sa përgjegjësi ke, për atë moment dhe për ato që do të vijnë pas teje. Vetëm kur e vesh këtë fanellë kupton sa është lagur me djersën e shumë korifenjve të futbollit, është zhubrosur nga grinta e tyre, është mbushur me talentin e paçmuar të të gjithëve atyre që e kanë patur atë nder.
Kombëtarja ka patur, ka dhe do të ketë një histori. Jemi ne që duhet të duam njësoj, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ndaj ky është momenti i duhur që të duam dhe të jemi më pranë ekipit Kombëtar sepse kështu respektojmë më shumë ngjyrat kuqezi. Ekipi Kombëtar është emblemë, është dëshirë, pasion, mbi të gjitha besim. Besim që marrim prej atyre që luajnë në fushën e lojës dhe besim prej nesh që duhet t’i mbështesim.
Dhe unë jam besimplotë se kemi një skuadër me futbollistë shumë të talentuar, kemi djem të mrekullueshëm, që duan më shumë besim, më shumë zemër më shumë vendosmëri. Është çasti që të jemi të gjithë bashkë. Ta ngrenë kokën lart, krenarë dhe të vendosur.
T’i mbështesim, t’i mbushim me kurajë duke thirrur fort nga shkallët e stadiumit: ‘O sa mirë me qenë shqiptar!’. Kombëtarja kërkon mbështetjen tonë sot, që ta duam edhe më shumë nesër. Të gjithë bashkë në stadium për ndeshjen me Islandën! Ervin Skela.”
Shto koment