Në seancën e sotme plenare, ndër të tjera, pritet të miratohet akti normativ për kompensimin e çmimeve të materialeve të ndërtimit. Nëpërmjet këtij akti qeveria kompenson ndërtuesit e kontratave publike nga 5-30% për çmimin e rritur të hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastike, aluminit, bakrit dhe zinkut
Në fjalën e tij nga Foltorja e Parlamentit, zv/kryeministri Arben Ahmetaj ndërsa drejtohej nga opozita dhe i pyeste me ironi që të ndajnë mendjen nëse janë të djathtë apo “gjysmë të djathtë” theksoi se PS është e majtë dhe për këtë arsye do të ndihmojë shtresat në nevojë.
Ndërsa përshkruante mënyrën sesi qeveria i është përgjigjur krizës së çmimeve pas pushtimit të Ukrainës, Ahmetaj shtoi se shumë shpejt do të shtohen edhe 500 milionë lekë për naftën e fermerëve.
Më 7 korrik është paralajmëruar nga opozita një protestë për situatën e çmimeve në vend, por për zv/kryeministrin duket se situata është krejt tjetër. Ai u shpreh se ekonomia “si askund tjetër” është në rritje.
Krahas blegtorisë, edhe bujqësia sipas Ahmetajt po sheh rritje të prodhimit, “pavarësisht situatës.”
“Invazioni rus në Ukrainë. Sot, shqyr zotit keni lexuar 7 faqe dhe keni gjetur që gjithë bota e ka pranuar që kriza e çmimeve është pasojë e invazionit rus. Qeveria bëri një paketë injektuese për qytetarët në nevojë e pensionistët. Filozofia nuk ndryshoi. Çmimet e energjisë i mbajtëm si asgjëkundi tjetër të pandryshuara. Shumë shpejt do të shtojmë edhe një 500 milionsh për naftën e fermerëve. Ju me demek të djathtët duhet ta vendosni…Investimet publike kanë një ngërç sepse vjen nga çmimet. Çfarë bën qeveria kompenson në favor të të mirës publike. Ekonomia është në rritje. E vetmja ekonomi në rajon që ka mbajtur ritmin gati 6%. Nga vjen kjo, nga fryma e Zotit? Nuk ka këtu kontribut injektimi i qeverisë? Edhe bujqësia, veç blegtorisë ka rritje të ndjeshme në prodhim. Nga se vjen kjo? Kjo vjen për shkak të politikave injektuese subvencionuese fiskale. Cila është arsyeja që janë rritur investimet? Është rekord injektimi…Po vendoseni, nëse jeni të majytë, gjys të djathtë. Ne jemi të majtë dhe do t’i mbështesim të gjithë qytetarët në nevojë. Do vazhdojmë me paketë të re nëse do të jetë nevoja në nevojë.”
Ahmetaj u ktheu përgjigje edhe atyre që thonë se Shqipëria radhitet mes vendeve me çmimin më të lartë të naftës. Sipas zv/kryeministrit ka shtete të Evropës që i kanë çmimet edhe më të larta.
Shto koment