Qeveria do të japë me koncesion portin turistik të Vlorës. Tenderi është hapur këtë të mërkurë dhe gara do të mbyllet më 26 shkurt 2021. Tenderi me objekt dhënia me Koncesion/PPP e projektimit, ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe transferimit të një Porti Turistik në Qytetin e Vlorës ose Marina Vlorë. Koncesioni do të ketë jetëgjatësi 35 vite, dhe do të bëhet me financim 100% nga privati, pasi është një projekt që vjen si ofertë e pakërkuar, pra një ose disa kompani private kanë shfaqur interes për këtë projekt.
Bazuar në dokumentet e tenderit Marina Vlorë parashikohet të ndërtohet në portin aktual të këtij qyteti, dhe është pjesë e Master Planit të Lungomares në Vlorë dhe vlera e këtij investimi sipas Ministrisë së Infrastrukturës nuk duhet të përllogaritet nga ofertuesit me e vogël se 22 milionë e 725 mijë Euro pa TVSH.
Referuar kritereve ofertuesi duhet të ketë burime financiare të nevojshme për realizimin e objektit të konkurrimit dhe mban përsipër çdo rrezik që mund të ndodhë. Po ashtu pjesëmarrësit duhet të kenë xhiro vjetore në tre vitet e fundit të jetë të paktën sa 50% e investimit te përgjithshëm pa TVSH të propozuar nga ofertuesi. ‘Marina Vlorë’ duhet të sigurojë një vend-ankorim të mbrojtur, të sigurt, funksional gjatë gjithë vitit për flotat moderne të jahteve. Ajo duhet të jetë e aksesueshme gjatë gjithë stinëve dhe të akomodojë minimalisht 400 anije.
”Marina duhet të vendosë në dispozicion dhe të mirëmbajë infrastrukturë akomoduese dhe përpunuese për anijet turistike ekzistuese që operojnë aktualisht në Port dhe të konsiderojë rritjen / rënien e mundshme në këtë treg”, thuhet në tenderin e shpallur.
Shto koment