Welcome to Vlora

‘Delirant, prepotent, cinik, intrigant, i pacipë’; Sokol Kushta shpërthen ndaj Edy Reja

Sokol Kushta, ish-sulmuesi i shquar i Partizanit, Flamurtarit dhe kombëtares shqiptare, nuk mund të heshte pas kësaj që po ndodh me ngjyrat kuqezi. Dy sfidat e fundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve u kthyen në “ferr” për tifozët shqiptarë.

Humbja ndaj Izraelit në transfertë dhe barazimi në minutën e 97-të ndaj Islandës në “Arena Kombëtare” na kthyen shumë pas jo vetëm në klasifikim, por edhe rishfaqjen e “sëmundjeve” të vjetra, shpërqendrimi, pësimi i golave në fund etj.

Vijimi me Edy Reja në stol duket një mision i pamundur tashmë, por edhe për zëvendësuesin ka dilema të llojit shqiptar apo i huaj. Kushta ka këtë këndvështrim mbi çfarë po ndodh në kombëtare:

“Mbas shiut thonë se del dielli… Do të presim të shikojmë reagimin e presidencës si do të veprojë me zgjedhjen e trajnerit të ri. Sidoqoftë, ne duhet të heqim dorë nga këta trajnerë delirantë, prepotentë, cinikë dhe intrigantë.

Ky trajner (Reja) në asnjë ndeshje nuk mori përsipër, qoftë dhe një herë të vetme, gabimet e tij, por i delegoi mbi të tjerët; lojtarët, barin e fushës, arbitrin. Asnjëherë nuk i mori përgjegjësitë mbi shpatullat e tij, çka tregon mungesë të theksuar karakteri.

Dhe në këtë moshë që është…, si i pacipë pret që të vendosë presidenti për kontratën e re. Presidenca duhet të zgjedhë një njeri punëtor, me karakter luftarak, të respektojë popullin dhe mentalitetin shqiptar.

Fjala vjen ka trajnerë si Gattuso që kur vajti në Greqi pagoi me lekët e tij rrogat e lojtarëve. I mbështeti dhe iu doli në krah në çdo moment. Një njeri me zemër dhe emër të madh, që e do punën.

Prandaj duhet ta shikojmë mirë se cilin trajner do të zgjedhim, ngaqë elementi dhe talenti te këta djem kuqezinj nuk mungon. Sa më shpejt ata tifozë që iu kthyen kurrizin dje, të rikthehen në krah të lojtarëve tanë”.

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.