Welcome to Vlora

“Air Albania”, një tjetër aferë e Sinan Idrizit me borxhet e kompanisë?

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi 6 ditë më parë se pronarët përfitues të kompanisë “Air Albania” do të regjistroheshin po atë ditë në QKB. Qendra Kombëtare e Biznesit e kishte pezulluar aktivitetin e kompanisë për shkak se ajo nuk i ishte përgjigjur detyrimit për t’i deklaruar përfituesit fundorë.

“Në informacionin tim di që do të kryhet brenda ditës së sotme, nuk është asgjë e jashtëzakonshme”, deklaroi Balluku.

Kanë kaluar 6 ditë dhe “Air Albania” vazhdon të mos i deklarojë pronarët dhe statusi i saj vijon të jetë i pezulluar.

Por çfarë fshihet pas mosdeklarimit të pronarëve përfitues? Në të vërtetë, pronarët janë të njohur.

Kur u krijua në 2018, “Air Albania” ishte e ndarë në këto përqindje. Shteti shqiptar mori 10% të aksioneve nëpërmjet “Albcontrol”, kompania “MDN INVESTIMENT”, e krijuar po në 2018 nga Sinan Idrizi mori 41% të aksioneve (tani të kaluara të bashkëshortja dhe vajza e tij, Najada dhe Rejana Idrizi) dhe kompania turke “TÜRK HAVA YOLLARI A.O.” ose Turkish Airlines, mori 49%.

Atëherë, përse nuk deklarohen edhe në QKB pronarët që janë në dokumentacionet e kompanisë?

Media të ndryshme kanë hedhur dyshimet për një skenar falimentimi të qëllimshëm të kompanisë, nëpërmjet të cilit po tentohet të shmangen detyrime në shuma të mëdha që ka ajo dhe ortakët e saj, Sinan Idrizi dhe miqtë e tij turq.

Sinan Idrizi dhe miqtë e tij turq të “TÜRK HAVA YOLLARI A.O.”, që kanë 90% të aksioneve, kanë 18 milionë euro boxhe, si detyrime aeroportuale, të kufirit, doganave dhe mjedisore. Këto borxhe, sipas mediave, janë akumuluar në 4 vjet të aktivitetit të “Air Albania”. Pra, kompania ka operuar për 4 vjet pa paguar detyrimet e saj dhe nuk ka marrë asnjë penalitet.

Me falimentimin e kompanisë pritet të fshihen edhe borxhet që ka qeveria shqiptare ndaj “Air Albania”, si aksionere me 10%, për shkak të përdorimit të një prej avionëve të saj nga kryeministri Edi Rama, si charter privat.

Përllogaritet që këto borxhe arrijnë në 5 milionë euro. Në përpjekje për të verifikuar këto të dhëna, Zoom.al i kërkoi informacion Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, për shumat që ka paguar për udhëtimet e kryeministrit Rama me avionin “Ismaili”, por nuk mori përgjigje. Zoom.al nuk mundi gjithashtu të verifikojë raportimet mediatike për nivelin borxheve të tjera të “Air Albania”.

Përveç udhëtimeve që përllogaritet të kushtojnë në 15 mijë euro ora, “Ismaili” ka për të kryer pagesa për serviset periodike dhe të paparashikuara që ka kryer në Turqi, Greqi, Turqi e Hungari.

“Air Albania” nuk ka deklaruar deri tani jo vetëm pronarët përfitues, por as bilancin për aktivitetin që nga viti 2019. Në 4 muajt e parë të operimit në 2018 ajo deklaroi 12 mijë Euro humbje.

Kompania operon aktualisht në 6 linja. Ministrja Balluku tha 6 ditë më parë se disa linja të tjera do të shtohen në tetor. Nëse deklarata e saj është si kjo e deklarimit të pronarëve përfitues brenda ditës, ka pak për të shpresuar.

Lajmi i pezullimit të akvititetit të kompanisë erdhi menjëherë pas një artikulli të “Bloomberg” se dy kompani ajrore janë drejt falimentit në Shqipëri.

SINAN IDRIZI, BIZNESMENI PAS “AIR ALBANIA” ME TË ARDHURA TË DYSHIMTA

Pas kompanisë “Air Albania” qëndron biznesmeni kontrovers Sinan Idrizi, president i klubit të futbollit Flamurtari, që përflitet se është gjithashtu edhe pas disa aferave koncesionare të dyshimta.

Sinan Idrizi u shfaq në Shqipëri si biznesmen kur nisi të sponsorizojë klubin e futbollit “Flamurtari” të Vlorës. Sponsorizimi u pa si i lidhur me Edi Ramën, për shkak se Vlora është zona elektorale e kryeministrit.

Pak kohë më pas, qeveria Rama e prezantoi si palën shqiptare në kompaninë “Air Albania”.

Por aktiviteti i tij i biznesit mbetet ende mister. Askush nuk e di se nga vijnë të ardhurat e tij as në sponsorizimin e Flamurtarit dhe as në blerjen e aksioneve të “Air Albania”. Nga kërkimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk rezulton që që ai të ketë pasur aktivitete të mëdha biznesi.

Nga vijnë atëherë paratë e tij?

Sinan Idrizi u akuzua për mashtrim me vlerën e 3.5 milionë eurove në Turqi. Adnan Polat, një biznesmen i njohur në Turqi, ish -president i ekipit të futbollit Galatasaray, e akuzoi Idrizin se i kishte marrë paratë duke i premtuar blerjen e kompanisë së markimit të karburanteve, GFI Albania.

Prokuroria e Stambollit kërkoi 3.5 deri në 10 vjet burg. Por gjykata vendosi ta lirojë nga akuzat. Disa media në Turqi e Shqipëri raportuan se në vendimin e gjykatës kishte ndikuar ndërhyrja e vetë presidentit turk, Erdogan.

Megjithatë mediat në Shqipëri zbuluan se premtimi për të blerë aksionet e GFI kishte qenë një mashtrim. Ja çfarë shkruan Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, (BIRN).

“I pyetur nga BIRN, Vangjel Birbo, një nga administratorët e GFI, tha se nuk kishte dijeni për ngjarjen dhe se nuk kishte pasur asnjë kontakt me Idrizin për shitjen e biznesit. Idrizi nuk iu përgjigj një telefonate dhe një SMS-je të dërguar nga BIRN për koment deri në publikimin e shkrimit.”

Adnan Polat nga ana tjetër deklaroi se për blerjen e kompanisë GFI kishte pasur miratim edhe nga kryeministri Rama.

“Menjëherë pas bisedimeve për blerjen e kompanisë GFI Albania shpk që patëm me Sinan Idrizin, u hodhën hapa me miratimin e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, dhe si përfundim ndodhi ngjarja që dihet. Deri më sot kam pritur me durim që të zgjidhet çështja, pa u dëmtuar marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore Shqipëri-Turqi”, u shpreh ai për median turke, Milleyt.

Afera u denoncua në disa raste edhe nga Partia Demokratike në Shqipëri.

Sinan Idrizi ka qenë gjithashtu pjesë e negociatave fillestare edhe për ndërtimin e Aeroprotit të Vlorës në 2017, një iniciativë që dështoi për shkak të ndërhyrjes së Komisionit Europian, i cili kërcënoi me nisjen e hetimeve për një aferë korruptive. /Zoom.al

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.