Welcome to Vlora

Zvërneci turistik

Shumë mund të kenë dëgjuar për Zvernecin e shumë të tjerë do të dëgjojnë me siguri së shpejti. Vetëm 10 minuta larg qytetit të Vlorës, Zvërneci së fundmi mund të konsiderohet më tepër se një fshat. Ajo që e karakterizon këtë vend është ndërthurja e shumë elementeve me vlera të mëdha në një perimetër kaq të vogël. Zverneci ka lagunë, ka 12 kilometra vijë bregdetare, 4 kisha Ortodokse, dy ishuj, ka zona pyjore të mbrojtura, trashëgimi të pasur historike e kulturore dhe një natyrë të virgjër me peisazhe mbresëlënëse.

Natyrisht, ajo që ka bërë Zvernecin të njihet gjerësisht është Kisha e Shën Mërisë. Ky objekt që ka rrëmbyer vëmendjen e njerëzve i përket periudhës Bizantine të shek. X-XIII dhe është i vendosur brenda Ishullit të Zvernecit, duke formuar një kombinim të mahnitshëm, kaq të pëlqyeshëm për vizitorët. Ujërat e lagunës, pylli me pisha të larta dhe relievi i ishullit krijon një ambient të këndshëm që të jep ndjesinë e një paqeje absolute. Manastiri ka qenë vazhdimisht i vizituar, megjithatë ndërtimi i urës së re e cila ka një formë karakteristike, e ka rritur ndjeshëm praninë e turistëve vendas e të huaj në të gjitha stinët. Së fundmi, të kalosh një fundjavë në ishull, është kthyer në një trend, sidomos për banorët e Vlorës, të cilët dëshirojnë të largohen për pak momente nga rutina e qytetit.

Gjatë verës bregdeti i Zvernecit është i tejmbushur me pushues, të cilët e preferojnë për qetësinë, pastërtinë dhe hapësirën e bollshme që është kaq e nevojshme për dikë që shkon me familjen në plazh. Por gjithashtu, në këtë vijë të gjatë bregdetare mund te gjesh plazhe të virgjër, krejtësisht të pastër dhe me peisazhe piktoreske.

Përveç Kishës së Shën Mërisë, që është pasuria më e madhe historike e kulturore për Zvernecin,  këtu gjenden disa gjurmë të rëndësishme historike. Bregdeti i Zvërnecit, është i pasur me objekte të vjetra, të cilat sipas arkeologëve mendohet t’i përkasin paleolitit të vjetër. Kodrat karakteristike të Treportit mbartin të gdhendur gjithë historinë mijëravjeçare të një qendre të vjetër portuale. Gjithashtu, mendohet se Zverneci i sotëm të jetë i ndërtuar mbi qytetërimin e vjetër të Spinaricës dhe po ashtu, nga vëzhgimet arkeologjike, ka shenja të ekzistencës së Aulonës së Vjetër. Kjo pasuri e madhe arkeologjike vazhdon ende të ngelet e pa zbuluar plotësisht, ndonëse të dhënat tregojnë se aty gjendet një “botë e tërë” për t’u zbuluar.

Vitet e fundit, turizmi ka njohur një zhvillim të konsiderueshëm, ku Zverneci po preferohet gjithnjë e më shumë nga vizitorët shqiptar e të huaj. Projekti i ri për kthimin e zonës në “fshat turistik”,  në kuadër të projektit të qeverisë “100 fshatrat”, pritet ta kthejë Zvernecin, në një nga destinacionet turistike më të preferuara të rajonit. Ky projekt, i cili ka qenë një domosdoshmëri e vazhdueshme, do t’i japë mundësi zonës të njihet së tepërmi dhe të mundësojë krijimin e një pikë të re në hartë ku njerëzit do të shkojnë me kënaqësi dhe do të provojnë disa momente relaksi. I gjithë fshati i pozicionuar në kodër, ofron pamje piktoreske dhe relaksuese, i cili për mungesë investimesh nuk është njohur deri më tani.

Sot, Zverneci është një pasuri e madhe e qytetit të Vlorës, që i plotëson akoma edhe më shumë vlerat e mëdha të qytetit. Sot, më shumë se kurë, ky vend i shenjtë dhe i paqtë, ka hapur krahët për të gjithë ata që duan të ndjejnë kënaqësinë e bukur që të jep natyra.

Punoi: Nikolla Pulla

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.