Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se përmes 8 milionë eurove grant, që janë disbursuar në mbështetje të 49 njësive agroturistike, jo vetë ka sjellë rritje të ekonomisë rurale, por ka rritur me 3 mijë persona numrin e të punësuarve në këtë sektor.
E pranishme në takimin që u zhvillua sot në Mullet, për lançimin e thirrjes së katërt të programit IPARD II me fokus turizmin rural dhe industrinë e artizanatit e manifakturën, Krifca tha se, “jo rastësisht zgjodhëm që të jemi sot këtu, në këtë takim në Mullet të Tiranës, pasi Lundra, Farka, Baldushku janë fshatra me potencial të lartë zhvillimi të resurseve natyrore në dobi të ekonomisë rurale”.
Ajo vuri në dukje se, një kantier zhvillimi është ky sektor, pavarësisht se në këto vite janë krijuar modele mjaft të mira të zhvillimit të agroturizmit.
Krifca theksoi se, bashkimi i bujqësisë dhe turizmin është kthyer në një mekanizëm të zhvillimit ekonomik për zonat rurale dhe mbetet një sfidë ende edhe për ardhmen.
Ministrja deklaroi se, “turizmi rural është kthyer në një lokomotivë për rritjen ekonomike në zonat më të thella rurale, krijimin e vendeve të reja të punës. Subjektet e agroturizmit përveç se krijojnë pole tërheqëse që sjellin para dhe vizitorë në zonat rurale, përbëjnë tregjet për familjet e vogla bujqësore të cilat nuk e kanë të mundur të dalin në tregje. Duke mbështetur këto pole ne mbështesim të gjithë zinxhirin prodhues, duke mos lënë askënd mbrapa”.
Sipas saj, krijimi i një perspektive të re, agroturizmi ka mundur të angazhojë komunitete për të punuar në zonat rurale, teksa thirrja përmes IPARD është një apel edhe për të rinjtë që duan të kthehen e të investojnë në Shqipëri.
Ajo i bëri thirrje artizanëve të aplikojnë krahas fermerëve dhe të përfitojnë mbështetje financiare nga IPARD për ambiente të reja artizanale, paketimi dhe prodhimi, teksa tha se, “vizioni i qeverisë është i qartë në zhvillimin e qëndrueshëm të fshatit”./A.T.SH
Shto koment