Rruga automobilistike nga Vlora në Sarandë është një nga më piktoresket në Shqipëri. Por pak kush e di që atë rrugë e ka ndërtuar ushtria italiane 100 vite më parë. Në luftën e Parë Botërore, Italia pushtoi Vlorën dhe shumë zona të jugut të Shqipërisë. Ajo do të largohej vetëm në vitin 1920, falë luftës së armatosur të organizuar nga qeveria e Kongresit të Lushnjës dhe ndikimit të faktorit ndërkombëtar.
Po ashtu, italianët nisën edhe ndërtimin e një linje hekurudhore që mbeti në mes. Këto investime në infrastrukturë nga pushtuesit nuk ishin çudi, kjo për shkak se ndërtimi i tyre kishte avantazh ushtarak. Po ashtu, edhe mjaft investime të ngjashme bënë në veri edhe austro-hungarezët. Shqipëria ishte vendi më i prapambetur i kohës dhe kishte shumë pak rrugë automobilistike.
Vetëm në qeverisjen e mbretit Zog u bë e mundur që Shqipëria të ketë një rrjet disi të mjaftueshëm, të cilin ende e trashëgojmë sot. Ironia më e madhe qëndron se që në hapat e para të shtetit shqiptar, rrugët kanë qenë problemi thelbësor dhe ende sot rrugët dhe infrastruktura në tërësi janë një dobësi e madhe e shtetit shqiptar.
Shto koment