Welcome to Vlora

Pasuritë Natyrore të Vlorës, Flora dhe Fauna!

Fauna e luginës së Lumit të Vlorës është e pasur me shpendë dhe kafshë autoktone. Thëllëza e malit është mbretëresha e tyre. Ajo gjëndet në tufa të vogla 5-8 krerëshe në Malin e Lungarës, Valët e Vranishtit, në Kallarat, në malet e Kuçit dhe të Bolenës, në Vërmik dhe në Tartar, në Malin e Bardhë dhe Mazhar të Sevasterit. Është shumë e lakmuar nga të pasionuarit e sportit të gjuetisë së shpendëve dhe kjo jo vetëm e gjuetarëve vëndas por edhe nga gjuetarët Italian të cilët vinë të organizuar nga agjensi turistike, edhe nga gjuetarët Grekë.

Lepuri i Egër rritet në të gjithë zonën fushore dhe atë kodrinore të luginës. Gjuetia e tij është e kërkuar nga gjahtarët, sigurisht jo si ajo e Thëllezës së Malit. Grupe të shumta gjuetarësh, edhe jashtë rrethit të Vlorës , gjatë gjithë sezonit të gjuetisë me ditë të tëra janë 5-6 herë në muaj në luginë për këtë lloj gjuetie.

Sorkadhia ka qenë përherë banore e pyjeve të Kallaratit, Kuçit, Bolenës duke ja shtuar bukurinë dhe veçantinë zonës. Është e pëlqyer nga grupet e gjuetarëve. Gjuetia e saj ka qenë e ndaluar për arsye të pakësimit të habitatit. Sipas studimeve tona reziku i zhdukjes së Sorkadheve si shkak kryesor ka gjuetinë e pa ligjshme jashtë sezonit të gjuetisë dhe sidomos gjatë periudhës së shtimit të saj. Ka disa vjet që me optimizëm kemi vërejtur në zonë shtimin e krerëve të Sorkadheve. Ndërgjegjësimi i banorëve për ti ruajtur ato është i dukshëm.

Derri i Egër gjëndet në tufa në malet e Kuçit por duke shfrytëzuar habitatet e zonës vjen deri në pyjet mbi fshatin Gumenicë. Grupet të shumta të të pasionuarve të gjuetisë së bishave e frekuentojnë këtë zonë vazhdimisht. Gjuetia e Derrit të Egër kryhet në grupe minimalisht prej 4 – 8 personave, pra si sport nuk është individual. Duke e pare në shërbim të turizmit për të tilla grupe janë të detyrueshme të vihen në dispozicion të këtijë lloj sporti, ambjente akomodimi fjetjeje dhe ngrënie.

Zhvillimi i Turizmit Familjar në luginën e Lumit të Vlorës nga vet banorët duhet parë si përparësi. Është një mundësi e pashfrytëzuar deri më sot.Natyra dhe ndërtimet e vjetra tradicionale, shtrirja e fshatrave radhë njeripastjetrit e bëjnë tërheqëse për turistet e vendit dhe të huaj. Mungesa e ambjenteve akomoduese në situatën aktuale është pengesë. E megjithatë grupe individuale dhe agjentë Turistikë, nga Europa Qëndrore e kanë eksploruar atë. Në kontaktet direkte të marra me ta kanë shprehur entuziazmin e kënaqsisë që kanë ndjerë nga natyra, nga takimet me banorët e fshatrave ku kanë kaluar, nga guzhina tradicionale me prodhimet e vendit bujqësore dhe blegtorale, dhe janë larguar duke na e shprehur se do të riktheheshin përsëri. Mikroklima është e favorshme dhe ndikon në prodhimet e perimeve dhe zarzavateve Bio, si dhe në zhvillimin e një frutikulture të pasur. Promovimi i këtyre vlerave të luginës ka munguar jo vetëm nga Institucionet profesionale, nga Agjensitë e zhvillimit të Turizmit, nga Agjensitë private Turistike por edhe nga nisiativa private e banorëve si dhe nga pushteti vendor.

Në Vërmik dhe në malin e Çipinit larmisë së Faunës ja rrit vlerat edhe Dhia e Egër. Këtë sport gjuetie të veshtire nuk e ushtron kushdo. Rritja e tyre në malet e larta të thepisura kushtëzon veprimtarinë e gjuetisë. Mishi i shijshëm dhe i ushqyeshëm e bën shumë të kërkuar jo vetëm nga gjuetarët por edhe nga banorët e fshatrave përreth dhe kërkesa e lartë e guzhinave të restoranteve në zonat urbane për mishin e tyre e rrezikuan deri në zhdukje. Prej afro 10 vjetësh numri i krerëve të tyre në zonën e lartëpërmendur është shumëfishuar.

Lugina është e pasur edhe me këto shpendë të egër si Thëllëza e Fushës e rallë, Fasa, Pëllumbi i Egër, Mëllënja, në grykëderdhje të lumit ka edhe Bajza. Shpendët e tjera të vogla janë kryesisht Lauresha, Bilbili, Gushkuqi Laramani. Edhe shpendët migratore Shapk, Shkurtëz, Turtull gjënden në masë të gjerë.

Me një përpjekje të vogël, patjetër dhe me mbështjen e agjensive të zhvillimit të Turizmit, këto resurse mund të vihen në shërbim të komunitetit duke bërë të mundur Ritjen e Mirëqenies së banorëve , Ritjen e Punësimit , Zbutjen e Varfërisë etj.

Shkrimi është pjesë e studimit për Zhvillimin e Turizmit gjithëvjetor në rrethin e Vlorës.

Nga : Eduard Demo

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.