Banka Botërore bëri një paralajmërim se një kombinim i rritjes së inflacionit dhe një ngadalësim i rritjes ekonomike mund ta çojë ekonominë globale në “stagflacion” të ngjashëm me atë të viteve 1970.
Në të njëjtën ditë kur u vu re një rritje e çmimeve të naftës dhe gazit, si në SHBA edhe në Evropë, Banka Botërore publikoi raportin e saj më të fundit të Perspektivave Ekonomike Globale – i cili krahasoi gjendjen aktuale ekonomike në mbarë botën me ato gjatë “stagflacionit të viteve 1970”, duke sjellë lajme potencialisht të këqija për ekonominë globale për shkak të probleme, që përfshijnë dëmin fiskal të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës.
“Lufta në Ukrainë, izolimet prej pandemisë në Kinë, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rreziku i stagflacionit po godasin rritjen ekonomike,” tha në një deklaratë presidenti i Bankës Botërore, David Malpass. “Për shumë vende, recesioni do të jetë i vështirë për t’u shmangur. Tregjet shohin përpara, prandaj është urgjente të inkurajohet prodhimi dhe të shmangen kufizimet tregtare. Ndryshimet në politikën fiskale, monetare, klimatike dhe të borxheve janë të nevojshme për t’iu kundërvënë shpërndarjes së keqe të kapitalit dhe pabarazinë.”
Raporti thekson se ekonomia aktuale i ngjan asaj të viteve 1970 në disa drejtime kryesore: “çrregullime të vazhdueshme nga ana e ofertës që nxisin inflacionin, të paraprira nga një periudhë e zgjatur e politikës monetare shumë akomoduese në ekonomitë kryesore të përparuara, perspektivat për dobësimin e rritjes ekonomike dhe dobësitë që vijnë nga tregjet në zhvillim, dhe ekonomitë në zhvillim përballen me shtrëngimin e politikës monetare që do të nevojitej për të frenuar inflacionin.”
Banka Botërore tha se inflacioni në mbarë botën “pritet të zbutet vitin e ardhshëm”, por mund të mbetet mbi objektivat në “shumë ekonomi”. Gjithashtu, ajo theksoi se rritja ekonomike në “ekonomitë e përparuara” parashikohej të ngadalësohej nga 5.1 përqind në vitin 2021, në 2.6 përqind në 2022, me një ngadalësim të mëtejshëm në 2.2 përqind që pritet deri në vitin 2023.
Megjithatë, u vu re gjithashtu se ekonomia aktuale ndryshon nga ajo e viteve 1970 në disa fusha të rëndësishme, duke përfshirë dollarin amerikan që është aktualisht i fortë, rritje më të vogla në përqindje në çmimet e mallrave, “bilance të forta të institucioneve të mëdha financiare” dhe kontrolle më të mira mbi çmimet, stabilitet nëpërmjet bankave qendrore dhe një historik i përmbushjes së objektivave të inflacionit.
Në parathënien e raportit, Malpass shkruanse njohuritë e nxjerra nga rimëkëmbja prej stagflacionit të viteve 1970 ishin “kthjelluese”, duke vënë në dukje se “rritja e normave të interesit që kërkohej për të kontrolluar inflacionin në fund të viteve 1970 ishte aq e fortë, sa solli një recesioni global, së bashku me një varg krizash borxhi në ekonomitë në zhvillim, duke sjellë një ‘dekadë të humbur’ në disa prej tyre.”
Malpass paralajmëroi gjithashtu se “dhimbja e stagflacionit mund të vazhdojë për disa vite” edhe nëse shmanget një recesion global.
“Rritje të mëdha të ofertës” sugjerohen për të zbutur rrezikun, përveç masave të tilla si kundërvënia ndaj rritjes së çmimeve të ushqimit dhe naftës, forcimi i rrjeteve të sigurisë sociale, rritja e përpjekjeve për lehtësimin e borxhit, reduktimi i varësisë nga lëndët djegëse dhe kufizimi i dëmit të pandemisë si dhe luftës së Ukrainës.
Përveç gjendjes aktuale ekonomike që mund të shkaktojnë stagflacion si ai i viteve 1970, gjithashtu ngrihen shqetësime se presioni në pikat e furnizimit, mund të shkojë përtej çmimeve të larta të karburantit.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Fatih Birol i tha Der Spiegel javën e kaluar se kriza aktuale e energjisë ishte “shumë më e madhe” se kriza e viteve 1970, kur shoferët amerikanë u përballën me radhë të gjata në pikat e karburantit për shkak të mungesës së përsëritur.
“Ne kemi një krizë të naftës, një krizë gazi dhe një krizë të energjisë elektrike në të njëjtën kohë,” tha Birol, sipas Insajder.
“Kur të fillojë sezoni kryesor i festave në Evropë dhe në SHBA, kërkesa për karburant do të rritet … Atëherë mund të shohim mungesa – për shembull, në naftë, benzinë ose vajguri, veçanërisht në Evropë.” / bota.al
Shto koment