Welcome to Vlora

Njëjtë si tragjedia e Jonadës, në Borsh skafi gjigand “mbi kokat” e pushuesve (FOTO)

Ka kaluar vetëm më pak se një muaj nga tragjedia e Potamit, ku vogëlushes Jonada Avdia ju morr jeta nga komisari i papërgjegjshëm i Policisë së Elbasanit, Arjan Tase që lëvizte i pashqetësuar në breg me një skaf me dy motorë.

Një fushatë aksioni për të ndaluar mjetet e lundrimit pranë brigjeve u ndërmor nga Policia e Shtetit dhe vetë kryeministri Edi Rama lajmëroi ditën e djeshme ngritjen e një njësie speciale të emërtuar “Jonada” për t’i dhënë fund marrëzisë me jetën e pushuesve në plazhet e vendit.

Por, masat sado të ashpra rrallëherë kanë rezultuar efektive kur janë ndërmarrë nga qeveria Rama dhe këtë e tregojnë më së miri skafet dhe jet-skitë e të “të fortëve” që nën hundën dhe dylbitë e policisë, kanë vijuar të bëjnë manovra të rrezikshme, të pashqetësuar, kryesisht në brigjet e Jugut të vendit.

Në Shqipëri, duket se “Maliqi është më i fortë se ligji” dhe këtë ka dashur të nënvizojë edhe në një postim në Facebook gazetari i Neës24, Osman Stafa.

Falë disa fotove të shkrepura në plazhin e Borshit, ai tregon qartë se prezenca e skafeve edhe në ato brigje ku ndalohen me ligj për shkak të rrezikshmërisë së lartë për pushuesit, nuk është ndalur.

Aty shihet një skaf gjigand, tepër i fuqishëm dhe me dy motorë që qëndron në breg, njëjtë si skafi “Nëna 154” i komisarit Tase, që preu dhe dërrmoi para syve të familjarëve të saj, trupin e Jonadës 7-vjeçare.

Fotot e publikuara nga gazetari janë realizuar sapo mjeti lundrues ka dalë në breg, ku vihet re një prezencë e lartë e fëmijëve që pushojnë me prindërit e tyre dhe për më tepër në këtë plazh nuk ka as stacion skafesh, as bova dhe asnjë masë sigurie për mbarëvajtjen e lëvizjes së tyre.

Postimi i Osman Stafës:

MALIQI MË I FORTË SE LIGJI

Sot në Borsh, ka dalë në breg ky gjigand, me dy motorë, i njëllojtë si ai që i mori jetën Jonadës 7 vjeçare. Shihni fotot, janë shkrepur sapo mjeti gjigand, ka dalë në breg, teksa në det kishte fëmijë të shumtë. Në vendin ku ka dalë gomonia, nuk ka asnjë stacion të posaçem, as bova, asgjë.

Në shkelje të plotë të ligjit, dhe duke rrezikuar jetët e pushuesve, mes tyre fëmijë.

Ku janë organet kompetente për të zbatuar ligjin?

A duhet të kemi një viktimë tjetër, që të bëjmë sikur marrim masa?

Kjo është e trishtë. Të shkosh në plazh me fëmijët dhe hallin më të madh ta kesh se mos vjen ndonjë përbindësh si ky që shihni në foto, dhe t’i marrë jetën.

Dhe aq më tepër kur ngjarja e Potamit është ende e freskët. Ku është ligji? Ku janë ata që zotohen për respektim ligji?

Nuk ka respektim rregullash jo, sepse Maliqi, është më i fortë se ligji.

Na ka mbetur të themi vetëm “Zot na ruaj”.

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.