Ashtu siç kishte paralajmëruar, OSHEE ka nisur të vendosë në faturën e energjisë elektrike detyrimin për pagesën e gjobave për mosrespektimin e masave anti-Covid.
Drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë bërë të ditur se në shkurt do të faturohen të gjitha gjobat e vendosura që prej fundit të muajit tetor, në bazë të listës së dërguar nga Policia e Shtetit.
“Në shkurt, do fillojë edhe pagesa, dhe në rastin që nuk paguhen gjobat, mund të cilësohen si debitorë dhe t’u ndërpritet energjia. Janë 55 mijë gjoba deri më tani, të tjera po vijnë”, tha Elton Sevrani, administrator i Furnizuesit të Shërbimit Universal, OSHEE.
Gjatë muajit të fundit janë vendosur 55 800 gjoba për mosrespektim të masave anti-Covid. Por pas verifikimeve të kryera nga OSHEE, ka rezultuar se 22 mijë shkelës nuk rezultojnë abonentë individual të operatorit të energjisë, si dhe kanë pasaktësi të tjera në të dhëna. Gjobat e tyre i janë kthyer mbrapsht Policisë së Shtetit.
Drejtuesit e OSHEE shpjegojnë se për pretendimet lidhur me gjobat për mosrespektimin e masave anti-Covid, qytetarët duhet t’i drejtohen Policisë së Shtetit, pasi operatori i shpërndarjes së energjisë, sipas aktit normativ të nxjerrë nga qeveria, është vetëm zbatuesi në këtë proces./A2
Shto koment