Welcome to Vlora

Michele Ricci, dhëndri italian që kultivon tokat në Vlorë: Qeveria të mbështesë fermerët

Michele Ricci ka lënë Italianë për të investuar në Shqipëri. Ai prej tre vitesh punon në sektorin e bujqësisë dhe ka marrë me qira 140 hektarë tokë në Vlorë. Është optimist pavarësisht vështirësive të shumta. Qeveria thotë ai duhet të mbështesë fermerët pasi shumë toka janë ende djerr.  

Michelen e gjejmë duke plehëruar tokat e mbjella me grurë. Është një punë e lodhshme përgjatë 10 muajve por në verë pret të marrë frytet.Fermeri italian Michele Ricci nga Campobasso, jeton dhe punon prej 3 vitesh në Vlorë.

Njohja me bashkëshorten shqiptare në 2008-ën e nxiti të vizitonte shpesh vendin tonë, ndërsa vendosi të linte Italinë. Ka marrë me qira 140 hektarë tokë në fshatrat Vllahinë dhe Kropisht të Vlorës, ku kultivon grurë, jonxhë e tërshërë.

“Unë Shqipërinë e njoh prej vitit 2008 sepse kam gruan nga Vllahina. Duke parë këto toka të papunuara mendova fillimisht të hap një fermë kafshësh si ajo që kisha në Itali, por gjithçka ndryshoi gjate rrugës. NIPT-in si fermer e kam hapur 5 vjet me parë, por ne dy vitet e para nuk punova. Këto tre vjet po punoj dhe kam investuar rreth 6 milionë në vit, prej të cilave pres të marr fitime.”, tha ai.

Në këto kodrina, Michele Ricci ka mbjellë grurë me dy cilësi, të cilin e shet në Shqipëri, por synon që së shpejti të kapë tregun italian.

“Kam mbjell grurë me dy cilësi të fortë dhe të butë. Gruri i fortë ka cilësi të shumë të mirë dhe zë rreth 80 ha tokë, pjesën tjetër të tokës e kam mbjell me jonxhë e tërshërë. Po synon të marr dhe 40 ha të tjerë tokë për të mbjell misër. Prodhimin gjatë këtyre viteve e kam shitur në disa fabrika mielli në Vlorë dhe Tiranë, tani mendoj ta dërgoj dhe në Itali, pasi ky grurë është shumë i mirë për miellin e makaronave.”, u shpreh ai.

Fermeri italian thotë se ka përfituar nga skema e subvencioneve por sërish vështirësitë janë të shumta, sidomos për krahun e punës.

“Sot kam një punëtor me kohë të plotë dhe një tjetër që vjen rrallë. Gjatë periudhës së verës më duhen deri në 10 punëtor, dhe këtu është problemi sepse nuk gjen njerëz që duan të punojnë në bujqësi. Nuk ka njerëz te kualifikuar apo të apasionuar për tokën, i gjen me veshtirësi”.

Qeveria shqiptare duhet të krijojë lehtësira për sektorin e bujqësisë, teksa 49-vjeçari renditet si probleme thelbësore, rritjen e çmimeve të plehrave kimikë dhe karburantit.

“Unë do të vazhdoj të investoj e punoj, por problemi është se çmimet vazhdojnë të rriten. Plehrat kimikë kanë shkuar shumë. 10 mijë e 900 lek për kuintal, ndërsa një vit më parë i blija me gjysmën e këtij çmimi. Këtu duhet të ndërhyjë shteti se ndryshe në vitet pasardhës nuk do të jetë askush i interesuar për të punuar tokën”., tha ai.

J.GJ.//ReportTv.al

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.