Një ditë pas njoftimit verbal të një vendimi qeverie për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se këtë të Enjte është kryer aksioni i parë. Bëhet fjalë për një godinë 9-katëshe pa leje e biznesmenit Julian Morina.
Në një video të postuar në FB, ajo shfaqet krah një drejtuesi të policisë dhe shefes së re të IKMT Dallëndyshe Bici dhe njofton konfiskimin e një godine në Farkë. Balluku thotë se janë 7 kate mbi tokë dhe dy nëntokë, pa leje.
Në video, zëvendëskryeministrja shprehet se vendimi për konfiskimin u mor bazuar “në VKM-në e djeshme”.
Mësohet se ndërtesa në Farkë është në pronësi të biznesmenit Julian Morina, i njohur si Lul Morina.

Pallati ndodhet përballë një tjetër biznesi të tij, Hotel Radison Morina. Objekti, i ndërtuar në një zonë tepër të lakmuar në kryeqytet, është ndërtuar i gjithi pa leje, përkatësisht dy kate nën tokë dhe shtatë kate mbi tokë.
Biznesmeni Julian Morina i duhet të paguajë gjobën prej 35.000 lekë për metër katror për objektin e tij, ose do e dhurojë që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet.
Shto koment