Kisha është e ndërtuar me gurë të papunuar të marrë nga shtrati i përroit aty pranë. Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar të cilët janë marrë nga rrënojat e Orikut antik.
Midis gurëve janë vendosur me llaç edhe copëra tullash dhe tjegullash, duke e përzier teknikën e ndërtimit. Nuk ka dyshim që kisha është ndërtuar gjatë periudhës bizantine diku rreth shekullit të XII. Në vitin 1971 kur Instituti i Monumenteve të kulturës e mori nën kujdesin e tij këtë objekt ai ndodhej në gjendje pothuajse të rrënuar.
Ashtu si i gjithë bregdeti i Shqipërisë edhe bregdeti i Vlorës ka qenë i pasur në të kaluarën me objekte të tilla kulti. Këtë gjë e favorizonin edhe mundësitë që ofronte natyra me vendet e veçuara, të mbrojtura dhe të përshtatshme për këtë lloj besimi. Këto fakte përforcohen edhe nga dëshmi nga më interesantet si :
Kështu admirali turk i shekullit XVI Pir Reizi në veprën e tij KITABI BAHRIYE, thotë se në ishullin e Sazanit ndodheshin dy kisha rrënojë. Ndërsa Eqrem Bej Vlora dëshmon se në shekullin e XVII në Sazan ndodhej një fshat i quajtur Shën Koll. Po kështu edhe Sami Frashëri në veprën e tij “Dheshkronja” thotë se, në Sazan ndodheshin 3 manastire. Gjithashtu në veriperëndim të Vlores ndodhet sot manastiri i famshëm i Zvërnecit, që i përket shekullit të XII.
E gjithë treva Erikua ose siç është quatur trekëndëshi Dukat, Tragjas ,Radhimë është një prej rajoneve që mbart në vetvete shumë vlera të karakterit kulturor, historik, etnografik, ekologjik, etj.
Ndërkohë që në veri të kishës ndodhet Baza ushtarake detare e Pashalimanit, laguna me të njëjtin emër dhe rrënojat e Orikut. Oriku anti jetoi gjatë shekujve VI p.k. Ai ishte një qytet që lindi si rrjedhoje e proçesit kolonizimit Grek. Përmendet si teatër i luftimeve midis Romakevë gjatë luftërave civile, si qyteti i parë që u pushtua nga Çezari. Gjatë mesjetës ai do të quhet me emrin JERIKO dhe funksionoi si qytet i vogël, i paisur dhe me një port. Në shekullin e XV kur u pushtua nga turqit ai u quajt Pashaliman dhe u shndërrua në bazën kryesore të marinës turke në perëndim të Perandorisë. Ndërkohë që disa kilometra më sipër ndodhet Dukati i ri, i lindur si rezultat i zbritjeve të banorëve nga Dukati i vjetër. Ky i fundit ndodhet në fund të luginës aty ku bashkohen malet e Çikes dhe Lungarës. Pikërisht këtu buron një përrua i rrëmbyer, i cili quhet nga vendasit Lumi i Dukatit.
Pikërisht në këtë fshat kanë mbetur disa gjurmë krishtërimi, siç është një lagje e tij dhe disa toponime. Të tilla janë Qafa e Kishës, qafa e Shën Gjergjit, trapi i Shën Ndreut, Shën Dëlli, etj. Këto emra i përkasin disa prej kishave që kishte ky fshat në qendër dhe përreth tij. Këto objekte nuk ekzistojnë më, ndoshta ato janë braktisur ashtu si dhe kisha e Marmiroit, në kohën kur treva në fjalë u islamizua në shumicën e saj, diku gjatë shekujve të fundit të pushtimit turk.
Shto koment