Welcome to Vlora

Kallarati troja e labërisë!

Kallarati nuk mund të shihet prej rrugës nacionale bregdetare, pasi është një fshat, i cili ndodhet mbi apo më saktë pas malit të Himarës, i thirrur Maja e Vetëtimave, mbështetur në faqen e një masivi të lartë shkëmbor që rri mbi krye e që thirret mali i Bogonicës. Ky fshat ndodhet në fundin e pjesës veriore të luginës së lumit të Vlorës, i cili gjarpëron ndërmjet shumë prej fshatrave të Labërisë dhe derdhet në Borshin e sotëm. Shumë prej fshatrave të kësaj lugine të largët, si për shembull Bolenë, Vranisht e më në jug- Kuçi lindor, janë të vendosura në pika të larta në kodra, në pozicione mbrojtëse jashtë itinerareve të plaçkitësve që terrorizuan këtë luginë ndër shekuj. Kallarati është në fund të luginës, drejtpërdrejt pranë lumit, një pozicion disi ndryshe për një fshat të këtyre zonave, duke dëshmuar njëfarë kundërshtie apo qëndrimi në përkrahje të paqes e qetësisë. Ne aspektin praktik, afersia me burimin e ujit e bënte jetesën në Kallarat shumë më të lehtë sesa më lart. Në nivele të larta, si për shembull në Pilur, ujërat nëntokësore janë gati joekzistente edhe duke përdorur puse të thella. Sot Kallarati, ashtu si shumë fshatra të tjera të këtyre zonave, është një vend e qetë e i ndrydhur, historia e të cilit është cdokund, lehtësisht e arritshme. Kallarati ndodhet pranë Vranishtit duke krijuar kështu një trio të mrekullueshme me Kuçin për një eksplorim dyditor të gjeografisë e historisë së luginës.

POPULLSIA- AKTIVITETI EKONOMIK

Duke qenë një vend malor dhe me orientim kryesisht blegtoral,banorët vendas kanë si traditë gatimet e mishit dhe kryesisht, ndër më të preferuarin kanë mishin në hell, çka nënkupton pjekjen e një qingji të therrur e të pastruar, të vendosur në prushin e zjarrit dhe që mandej vërtitet ngadalë për pjekje graduale. Zakonisht , një mish i tillë , pas përfundimit të procesit të pjekjes vendoset në mesin e tavolinës së miqve dhe ndahet në copa nga i zoti i shtëpisë. Pjesa e bishtit të qingjit të therrur, që konsiderohet nga vendasit si më e shijshmja, vendoset në pjatën e mikut më të largët e për rrjedhim më të nderuar. Në traditën vendase është edhe gatimi i byrekëve në saç, që mbajnë mes petëve herë hithra, herë lakra, herë bulmet, gjizë e djathë. Kuzhina vendase ofron gjithashtu lloje të ndryshme sallatash të përgatitura nga prodhimet vendase, mjaft të shijshme sikundër domatja, specat, qepët dhe lakrat e egra. Në vend, për shkak të klimës së përshtatshme, bëhen mjaft të shijshme edhe frutat mes tyre më të dalluarat janë fiqtë, rrushi, mollët, dardhat, qershitë, ftonjtë dhe arrat ndër frutat e thata.

POPULLSIA-TRADITA

Banorët tradicionalisht në veshjet e tyre ruajnë fustanellën e bardhë që bie nën gjunjë, ndërsa në pjesën e sipërme këmishën e bardhë me mëngë të gjera dhe jelekun e punuar në ar në ngjyrë të zezë me gajtan ari dhe motive popullore të qëndisura me të kuq. Karakteristikë e veshjes janë gjithashtu kalcat e zeza dhe opingat e lëkurës me xhufkë në majë, një veshje kjo me pak dallime nga fshatrat e tjera të Labërisë. Duke qenë një vend kryesisht malor e blegtoral, vendasit, burrat që janë marrë me blegtori mbajnë të hedhur mbi supe edhe një gunë prej leshi dhe me flokatë, kryesisht në ngjyrë të zezë. Tosket qe jetojnë në Shqipërinë e poshtme, janë të gjatë e rrobustë, shumë të shkathët në lëvizjet e tyre; tiparet i kanë të rregullta, por si shumë shqiptarë të tjerë ata kanë një shprehi agresive, të ashpër dhe shpesh dinake; si dhe një arrogancë në sjellje, e cila i bën lehtësisht të dallueshme nga racat e tjera edhe kur nuk janë të veshur me kostumet e tyre kombëtare. Ata kanë një temperament luftarak dhe të egër, por gjithsesi kanë cilësi fisnike, të cilat kompesojnë në disa mënyra ashpërsinë dhe sjellin një impersion të karakterit kombëtar. Janë një burim i vazhdueshëm terrori për të huajt, por objekte sigurie dhe besimi për këdo që ka fituar miqësinë dhe vlerësimin e tyre.”

POPULLSIA-ARTIZANATET

Kallarati ka një traditë artizanale për t’u vlerësuar. Në Kallarat është edhe një punishte e vogël që merret me punimin e qilimave, sixhadeve, mbulesave, batanijeve dhe rrugicave prej leshi me ngjyra. Prodhimet janë të zbukuruara dhe stilizuara nga figura e simbole kafshësh, apo zogjsh, si dhe elemente të traditës së endjes në avëlmënd. Në këtë punishte modeste realizohet edhe gdhendja në dru me elemente dekorative të djepeve tradicionale, tavolinave, apo sofrave familjare si dhe këndeve të ndenjjes.

POPULLSIA-KULTURA

Sikurse e gjithë krahina e Labërisë dhe e Bregut, edhe kallaratasit kanë në traditë këngën popullore polifonike, një kombinim harmonik i katër apo pesë zërave; njërit që ia merr, tjetrit që ja kthen, një i tretë që ndërhyn dhe në sfond pjesëtarët që mbajnë iso. Kjo lloj kënge interpretohet vetëm përmes kombinimit të zërave drejt një linje harmonike të vetme dhe vlerësohet si një trashëgimi e rallë e vlerave kombëtare shqiptare. Jo rrallë kënga polifonike e Kallaratit shoqërohet nga dyjarja, një instrument frymor me dy kallama druri në një trup unik, vegël kjo karakteristike mjaft e lashtë, që gjendet e pasqyruar edhe në relievet antike të zbuluar nga arkeologjia në këto anë. Një tjetër element karakteristik i këngës së Kallaratit është edhe kënga e kënduar nga një solist i vetëm, i cili interpreton njëkohësisht rolet e disa prej këngëtarëve të grupit polifonik. Tematikat e këngëve të këngëtarit në këto raste është ajo baritore apo epike.

RRËNJËT-HISTORIA

Të dhënat historike dokumentare flasin se Kallarati ka qenë vendbanim, të paktën që prej shekullit XI-XII. Por, materialet e para dokumentare i gjejmë pas pushtimit osman të këtyre krahinave në fundin e shekullit XIV dhe fillimin e shekullit XV. Sipas regjistrave kadastralë osmanë të vitit 1432, të cilët kanë regjistruar popullsinë e krahinës së Kurveleshit, bëjnë me dije se fshati Kallarat ka qenë vendbanimi më i madh i kësaj krahine dhe kishte 87 shtëpi dhe një popullsi rreth 600 banorë. Ndërsa në vitin 1927 kishte 552 shtëpi me rreth dy mijë banorë. Deri në vitin 1914, fshati ishte i vendosur në vendin e quajtur Bogomile, një toponim sllav ndoshta i vendosur nga koha e sundimit bullgar në shekujt e X-XII. Bogo= Zot, vendi i zotave. Ende edhe sot në këtë vend ruhen mjaft mirë rrënojat e banesave të fshatit, dy e trekatëshe, i cili në vitin 1914 u dogj dhe u shkatërrua prej forcave shoviniste greke që masakruan pjesën më të madhe të popullsisë së këtij vendbanimi. Në rrënojat e “fshatit të vjetër” gjenden gjithashtu rrënojat e dy kishave, çka tregon se të paktën deri nga fundi i shekullit XVIII, apo fillimet e shekullit XIX, popullsia ishte e besimit të krishterë. Vetë prania e mbiemrave të fiseve kryesore të fshatit që ruhen ende sot, sikundër, Gjonbrati( Gjon+ Brati; vëllezërit Gjoni), Thanasi, Qejvani apo Jovani tregojnë fare mirë për origjinën krishtere të popullsisë së vendbanimit. Fshati përbëhet nga shtatë mëhalla Gjinaj, Gjinzes, Mërgjin, Misërgjon, Qesëraj, të cilat aktualisht janë degëzuar në fise të tjera të shumta.

VENDODHJA-INDI URBAN

Kallarati është një fshat, i cili ndodhet mbi apo më saktë pas malit të Himarës, të thirrur Maja e Vetëtimave, mbështetur në faqen e një masivi të lartë shkëmbor që rri mbi krye e që thirret Mali i Bogonicës. Shtëpitë e këtij vendbanimi shtrihen deri pranë brigjeve të lumit të Shushicës dhe kufizohen në veri nga fshati Kuç dhe nga ana lindore nga fshatrat Bolenë e më tej nga Vranishti. Distanca e rrugës nga qyteti i Vlorës në Kallarat është 52 kilometra dhe kryesisht ndjek anën e lumit të Shushicës.

ARKITEKTURA E BANESAVE

Shtëpitë e fshatrave malore ruajnë karakteristikat e ndërtesave të zonës. Këto banesa janë ndërtuar duke përdorur gurë lokalë dhe çatitë janë, në shumicën e rasteve, të mbuluara me pllaka me gur e tjegulla. Mikpritja e bukaria kanë qenë dhe ende janë sot tipare të mirënjohura të banorëve të këtij fshati.

ARKITEKTURA E TË JETUARIT DHE OBORRET E SHTËPIVE

Mund të mësohesh më shumë rreth dikujt nëse vëren mjedisin e tij të jetesës. Shtëpitë dhe njerëzit në Kallarat janë tepër mikpritës. Duke vështruar përtej gardheve gjysmë të dukshme mund të shohësh një oborr të mirëmbajtur, plot e përplot me pemë frutore, të cilat jo vetëm që ofrojnë fruta të shijshme, por gjithashtu hijëzim gjatë ditëve të nxehta të verës.

ARKITEKTURA E TË JETUARIT DHE OBORRET E SHTËPIVE

Gardhi i oborreve të shtëpive është zakonisht i përbërë prej një ndërthurje materialesh: mur guri dhe metal, duke përfshirë edhe derën e jashtme. Gardhi është mjaftueshëm i lartë për të penguar hyrje të padëshiruara, për të krijuar privatësi si dhe atmosferë të brëndshme, por edhe mjaftueshëm i ulët sa për të ftuar për komunikim pamor. Dizajnjimi i murit të tullës lejon krijimin e një ventilimi natyral dhe mikroklime, shoqëruar kjo me një cilësi ndriçimi gati-gati magjike.

PEIZAZHI I SHËNJUAR PREJ LAPIDARËVE

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kallarati mori pjesë në Qëndresën Antifashiste dhe u rradhit ndërmjet grupimeve të partizanëve, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për çlirimin e vendit, 30 banorë të Kallaratit dhanë jetën e tyre në betejë.

FAKTE DHE SHIFRA

Kallarati sot ka një numër të kufizuar banorësh, ndoshta më pak se 500. Pas viteve ‘90, për shkak të vështirësive ekonomike, një pjesë e mirë e tyre u detyruan të largohen në emigracion, brenda vendit drejt qyteteve; dhe nëpër Europë, kryesisht në Greqi dhe Itali.

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.