Nga Tirana, në një konferencë për mediat përkrah ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, por edhe guvernatorit të BSH, Gent Sejko, përfaqësuesja e FMN-së Yan Sun ka kritikuar qeverinë për nismën e Aministisë Fiskale.
Në një kohë që kryeministri Edi Rama ka dalë me ”shpatë” në dorë për të sulmuar BE dhe SHBA për qëndrimin e tyre ndaj nismës që do t’i hapte rrugën legalizimit të parave të pista në ekonominë shqiptare, Sun ia tha në sy Ibrahimajt se Amnistia dëmton rëndë moralin tatimor në vend.
Ajo shtoi më tej se aplikimi i këtij projektligji të propozuar nga qeveria shqiptare është një “biletë” për eksponentë të krimit që t’i shmangen kontrollit të ligjit dhe ndjekjes penale për pasurinë e tyre të ndërtuar në rrethana të errëta.
“Ne e kemi marrë, rishikuar ligjin që kur doli për konsultim publik në korrik dhe i kemi paraqitur komentet dhe shqetësimet tona qeverisë. Së pari amnistia mund të konsiderohet si dëmtim për moralin tatimor, si kartë për të dalë nga detyrimi pagesës tatimore dhe për të ndihmuar evazorët sepse përfshin një falje të konsiderueshme të tyte për heqje të penaliteteve që mund të japin imunitet nga ndjekja penale dhe nga kontrolli konstant i ligjit”, tha përfaqësuesja e FMN-së.
Ajo çka FMN i propozon qeverisë shqiptare si zgjidhje në këto kushte kur Rama kërkon me ngulm Amnistinë Fiskale, është një program Vetëdeklarimi Vullntear i të ardhurave, por që edhe për këtë Shqipëria duhet të plotësojë një sërë kriteresh përpara realizimit.
“Gjithashtu qeveria duhet të ndryshojë ligjin e Amnistisë në një program të Vetëdeklarimit Vullnetar, por edhe këtë kur të ketë përmbushur disa parakushte. Së pari një sistem krejt modern të vetëdeklarimit tatimor dhe një sistem të posaçëm për zbatimin. Në këtë pikë duhet të ketë edhe kompetenca të dëshmuara për publikun që Administrata Tatimore ka aftësinë ta kryejë. Duhet treguar publikut që evazorët fiskalë do të ndiqen penalisht. Gjithashtu është kuadri i pastrimit të parave dhe financimeve kundër terrorizmit. Edhe sistemi i DPT-së që është zhvilluar me bashkëpunimin e FMN-së duhet të ecë akoma më tepër, sepse duhet forcuar kapaciteti jo vetëm në kontrollin tatimor. Pasi ka probleme në mbledhjen e të ardhurave dhe ndikimin e palëve të treta në sistem”, deklaroi Yan Sun.
Shto koment