Kryetari i Nismës Thurje, Endri Shabani, komenton nismën e partisë së tij kundër zaptimit të hapësirave të plazhit duke kërkuar që të jenë 100% publike.
Për të mbështetur këtë iniciativë, Shabani tha se synojnë që të kthehemi në “komunizmin amerikan të Majemit” dhe në komunizmin e gjithë vendeve të zhvilluara të Europës.
Duke folur në MCN Live, Shabani deklaroi se “duam të bëhemi komunistë si Anglia dhe Amerika”, duke sqaruar se nuk janë kundër ekzistencës së lokaleve dhe shërbimeve.
Por sipas tij, problemi që ndodh në Shqipëri nuk ndodh në asnjë vend të Europës dhe Amerikës.
Uzurpimi i plazhit nuk ndodh kudo. Lokali le të vendosë shezlonget pirg dhe të vij klienti dhe të thotë ma vendos aty. Ne paguajmë taksa pastrimi, nuk ka nevojë që të paguajmë edhe privatin.
Nuk japin asnjë faturë tatimore. Ligji nëse nuk e zgjidh problemin! Duhet të ndryshojmë ligjin. Njeriu s’mund të shkojë në plazh dhe të mos ketë ku të ulet.
Ne e kemi trashëguar brez pas brezi këtë plazh, na është hequr e drejta të lëvizim lirisht. Po të shkojmë në Shqipëri të ulemi tek bregu i detit, do vij ai do na kërkojë lekët.
Nuk ka asnjë problem, lokali apo hoteli ti mbajë pirg shezlonet dhe të vij dikush dhe ti thotë ma vendos këtë shezlong atje dhe e merr me qira shezlongun. Sot vendosen shezlonget dhe nuk afrohesh dot tek çadra.
Me një VKM Rama ka vendosur se 80% do jenë plazhe private dhe 20% publike, kjo sjell sfidën e monitorimit të 20%. Duhet të shkosh me metër që ta masësh.
Zbatimi i kësaj kërkon në vetvete një shtet të pakorruptuar, në një shtet të korruptuar, kjo nuk evidentohet dot. Duhen eliminuar 100% e gardheve.
Në resortet që kanë marrë investitorët strategjikë, kanë vendosur gardhe. Ekzistenca e privatit në menaxhimin e plazhit, sjell korruptimin e inspektorëve.
Sipas tij, sot plazhet publike, edhe kur ekzistojnë janë kanale të ujërave të zeza, në qoshe kur nuk shkon njeri dhe vende ku mblidhen plehrat.
Shabani shtoi se duke eliminuar këtë problem njëherë e mirë, ne nuk kemi nevojë ta monitorojmë më, pasi të gjitha plazhet, janë të të gjithëve.
Po lobojmë me disa deputetë, pothuajse të gjitha palët kanë shtëpi në Gjirin e Lalzit. Nuk e kanë më qejf këtë punë, ka ende disa deputet që nuk janë të lidhur me interesa. E kanë mbështetur parimisht.
Po presim të marrim numrin e nevojshëm të firmave. Nëse ne e çojmë dhe është një çështje që mbështetet nga 3 deputet dhe nuk merr mbështetjen popullore, ai ligj do pezullohet.
Nëse ka mbas një numër të madh firmash, do jetë shumë e vështirë për çdo deputet të opozitës apo mazhorancës që ta votojë kundër, ndërkohë që opinioni publik e mbështet.
Se e kërkon pjesa më e madhe e publikut. Nuk jemi kundër biznesit, por jemi kundër zaptimit. Problemi më i madh është shteti, jo privati se privati përpiqet të bëjë biznes.
Shkon ai si gangster i zonës, i merr lekët që ta administrojë, shkon dhe inspektori i merr lekët dhe në fund e paguajmë ne qytetarët.
Shabani ngriti si shqetësim se me situatën aktuale në plazhe po vriten njerëz. Ai kërkoi që të shmanget klasifikimi i njerëzve, që kush nuk ka para që të paguajë 50 euro është inferior.
Por sipas tij, paratë kanë rënë në duart e kriminelëve dhe trafikantëve dhe se ka shumë njerëz që nuk kanë para dhe janë të ndershëm dhe nuk i përballojnë dot çmimet që janë caktuar në plazhe.
Sipas tij në kushtet aktuale në plazhe, po lejohen vrasës me pagesë dhe po përjashtohen mësues.
Shto koment