Welcome to Vlora

Vlora 110 vite për shtetin, kryebashkiaku 8 vite për qytetin

Kanë kaluar 8 vjet që kur kryetar i Bashkisë Vlorë u zgjodh mjeku radiolog Dritan Leli. Punët prej nga hoqi dorë, të paktën përkohësisht, nuk ishin as më pak të rëndësishme e as më pak motivuese, por propozimi që i erdhi shkoi përtej përvojave të tij në Europë, ku ishte kualifikuar për vite të tëra, kishte ndjekur sa e sa konferenca, seminare e kishte hapur gjithëfarë dyersh në dobi të profesionit të tij. Tani ishte Vlora! Ishte e tëra! Duhej shëruar!

Dritan Leli gjen kohën në këto ditë të vrullshme të festimeve të Pavarësisë për të treguar se si ka kaluar ky vit mes aktivitetesh përvjetori. Siç tregon dhe vetë në këtë bashkëbisedim, ka pasur mbështetje të pakursyer të qeverisë, donatorëve dhe mbi të gjitha të qytetarëve vlonjatë për t’i dhënë vendit një pamje të re.

Këto ditë, Vlora është “skuqur” nga Flamuri në çdo rrugë e çdo ballkon, por në harkun e disa viteve, ka ndryshuar tërësisht pamjen. Fjalët shpejt do t’i marrë era, punët e bëra do të mbeten aty… Dritan Leli e ka të qartë këtë, madje punon çdo ditë më shumë, sikur të ishte e fundit.

Tani ka në mendje një tjetër prioritet: të hapë dyert, të shtrojë tryezat për mijëra shqiptarë që do të bujtin në qytetin kryesor të festimeve…

Vetëm pak njerëz do të mund ta dinë se cilën copë të puzzle-it duhet të zgjedhësh të parën për të lehtësuar procesin pasardhës, por me sa duket diti të zgjedh të duhurën për sa kohë vlonjatët e zgjodhën për herë të dytë, duke i kujtuar përherë punën e parë…

“Puna e parë që bëra kur u zgjodha kryetar bashkie, ishte tjetërsimi tërësor i kësaj godine. Ishte krejtësisht e shkatërruar. E kisha ruajtur në kujtime që prej fëmijërisë, kur vija të shihja mamanë, prandaj e kisha më të vështirë pranimin e gjendjes në të cilën ishte. Godina e bashkisë është Monument Kulture dhe meritonte të trajtohej si e tillë.

Ditët e netët pa gjumë, e shndërruan në vendin që sot duan ta vizitojnë të gjithë, prandaj në raste të caktuara i hapim dyert për ceremoni të veçanta apo, siç në rastin konkret, për një ekspozitë pikturash. Piktorët vlonjat kanë sjellë punë të tyre për t’i ekspozuar gjatë gjithë nëntorit, me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë, në bashki. Po kaq i rëndësishëm ka qenë edhe 105 vjetori, sepse atëherë përfundoi restaurimi i godinës prandaj ishte një ceremoni e shumëfishtë që celebrohej”.

110 VJETORI, BASHKIA HAP DYERT

Qyteti më i madh në jug të vendit është zhytur në të kuqen e flamurit shqiptar ndërsa është gati për të pritur vizitorë nga gjithë vendet shqipfolëse në jubileun e 110 të Pavarësisë. Këto ditë u hap në bashkinë e qytetit ekspozita më e madhe e organizuar ndonjëherë me të gjithë veprat e autorëve vlonjat, e cila do të jetë e hapur të shtunë e të dielë për të gjithë vizitorët. Një tjetër program ka galeria e arteve të qytetit që ka ftuar të gjithë piktorët vlonjatë kudo, ndodhen nxënësit e shkollës së artit po dhe artistë të tjerë që kanë dëshirë të shfaqin veprat e tyre në qytet… Një program të veçantë do të kenë edhe në Himarë.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës ka ngritur një grup pune për të përcaktuar elementët festivë ndërsa ka ftuar të gjithë personazhet politikë që kanë dalë nga qytetit, të gjithë kryetarët e bashkive që kanë drejtuar qytetin në këtë 110 vjetor. “Ky është një vit jublar për qytetin e Vlorës sepse shënohen 110 vjet nga ngritja e flamurit të pavarësisë, ndërsa bashkia e Vlorës ka një vit të tërë që organizon aktivitete në kuadër të 110 vjetorit, për të qasur e afruar vizitorë në këtë jubile. Çdo gjë që kemi organizuar këtë vit kanë qenë në kuadër të këtij eventi të madh dhe vetë statistikat që vijnë nga promovimi i turizmit ka bërë të kuptojmë që gjërat kanë shkuar për mirë”- tregon Dritan Leli.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e pesëmbëdhjetë të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg prej datës 20 Nëntor dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.