Rritja e fortë e çmimit të karburanteve ka detyruar peshkatarët në Vlorë të fikin motorrët e anijeve të peshkimit.
Prej gati 10 ditësh ata kanë ndalur aktivitetin e tyre duke ankoruar peshkarexhat në kalatat e Triportit të Vlorës.
Dyfishimi i çmimit të naftës që përdorin peshkatarët për anijet e peshkimit ka rritur kostot që sipas tyre po bëhen të papërballueshme duke e bërë më të vështirë jetesën për familjet e tyre.
Por, shtrenjtimi i karburanteve ka bërë që peshkatarët të rrisin çmimin e produkteve të peshkut dhe gjallesave ujore pasi në tregje konsumatorët po paguajnë më shumë për blerjen e tyre.
Në portin e Vlorës operojnë rreth 80 anije peshkimi dhe situate e rritjes së çmimeve prek jo pak individë që e kanë peshkimin punën e tyre të vetme që sigurojnë të ardhura prej tij.
Prej rreth një muaji situata në triport flet me gjuhën e heshtjes. Në ditë të tilla thuajse të gjitha peshkarexhat duhet të ishin në det të hapur për të zhvilluar aktivitetin e tyre, por prej më shumë se 1 muaji, ato i gjen të gjitha të ankoruara në kalatat e Triportit. Rritja e çmimit të naftës shprehen peshkatarët, ka bërë që puna jonë të jetë drejt falimentit. Dikur e merrnin me 65 lekë me 70 lekë litrin, sot e marim 160 leke. Duam të paktën 500 mijë lekë të vjetra karburant për disa orë në det, dhe këto çmime nuk e justifikojnë dot gjuetinë.
Kështu, sipas peshkatarëve, situatës skandaloze të kushteve infrastrukturore në Triport tani u është shtuar një tjetër problematikë e madhe, rritja e çmimit të naftës ka bllokuar aktivitetin e tyre të përditshëm, duke ua bërë jetesën e familjes më të vështirë.
Ndërkohë që çmimi i naftës është shoqëruar dhe me rritjen e çmimit të peshkut. Fakti një pohim jo vetëm nga peshkatarët, por dhe në tregje të tregtimit të produkteve, gjallesa ujore. E megjithatë peshkatarët thonë se normalisht e kemi rritur pak çmimin e peshkut, por merkatot e peshkut apo dyqanet e peshkut janë ato që e rrisin më shumë ç’ka na bën që ne të jemi shtresa më e goditur.
Porti i peshkimit në Vlorë prej kohësh ka qenë një shqetësim për peshkatarët që operojnë me anijet e tyre e sipas tyre porti prej vitesh e ka humbur statusin e të qenit port peshkimi teksa nuk ofron asnjë kusht për të punuar. Ndërkohë që më herët, vështirësitë e papunësisë në këtë port, detyruan shumë peshkatarë të lënë punën e në triport operonin me anije peshkatarë nga Egjipti.
Rreth 80 anije peshkimi operojnë në këtë port ndërsa ky vend disponon një vijë të gjatë bregdetare si një hapësirë e çmuar për këtë aktivitet.
Shto koment