Eshtë zhvilluar më 1929 dhe ka pasur edhe një edicion të dytë më 1931. Si u organizua gara e parë e automobilizmit në Shqipëri dhe cilët ishin heronjtë e saj. Një histori nga vitet ku asgjë s’ishte akoma traditë dhe ku pilotët, pistat dhe mekanikët, nuk përbënin ende një shfaqje që shihet vetëm në TV.
Gjërat që sot na duken të paarritshme shpesh kanë ndodhur me një thjeshtësi çarmatosëse. Ajo që lundron në mendjet e brezave të viteve 2000 për fillimin e shekullit që shkoi, është një fotografi bardh’ e zi, ku fytyrat e zbehta të “revolucionarëve” ose “armiqve” të ardhshëm, shohin me pafajësi të habitshme nga objektivi që i lidh me gjeneratat që pasojnë. Mirëpo, është pikërisht një fotografi e tillë, po bardh’ e zi, nga ku i hedh shikimin e tij sfidues epokës ku jetojmë, fituesi i garës së parë automobilistike në Shqipëri. Neki Arapi, një vlonjat me një model flokësh që të kujtojnë Trockin dhe vështrim si të Indiana Jones.
Në bordin e një Alfa Romeo-je të pluhurosur, me kravatën e lidhur në një mënyrë aq korrekte saqë kuptohet se s’bën pjesë në veshjen e tij të zakonshme, ai mund të merret edhe për një dandi të shkujdesur në shëtitje. Mirëpo ajo është fotoja historike e fituesit të garës së parë të një sporti luksoz, i cili hedh shikimin drejt viteve që do vijnë. Një shikim i ardhur nga një kohë tjetër. Ku, të jesh banor i një vendi si Shqipëria, ndonëse mes varfërisë mbarë ballkanike, nuk do të thotë t’i privosh vetes ca evenimente nga ato për të cilat sot nevojitet traditë, progres teknik e natyrisht, kapital i madh financues.
Mëngjesin e 24 shtatorit 1929, tellalli i Vlorës ishte ngjirur nëpër rrugët e qytetit duke lajmëruar një gjë të pazakontë. Një garë me makina. Një garë e cila në vitet ’20, ishte për shqiptarët e sapombërritur direkt e nga perandoria osmane, një atraksion po aq i madh sa ç‘mund të jetë sot një garë anijesh kozmike për këta shqiptarët e sotëm postkomunistë. Mirëpo, në qytetin jugor, ku ndikimi italian kishte nisur të rritej, jetohej pak duke imituar komshinjtë e përtejdetit. Ky ndikim kishte nisur të ndihej në qytet që zhvillonin tregti me Apeninet pa pritur që Zogu të shpallej mbret (ndonëse monarkia ishte vendosur më 1 shtator 1928), dhe të bënte në favor të italianëve koncesionet e famshme që u dhanë atyre dorë të depërtojnë në jetën kulturore të vendit.
Prej gjashtë vitesh, të rinjtë e qytetit kishin themeluar një shoqëri sportive, të quajtur “Vlora” e cila rrekej të imitonte pak modelet italiane të Torinos, Romës dhe Milanos. Kjo ishte zanafilla. E nxitur edhe nga demonstrimet pompoze të italianëve të punësuar në qytet, të cilët kalonin me makinat e tyre nëpër rrugët kryesore të Vlorës me shpejtësi të lartë, krenaria shqiptare u prek në ndjenjën më të thellë. Dhe përgjigjja erdhi e shpejtë.
Neki Arapi i cili ne 24 shtator 1929 fitoi garen e pare te automobilizmit me alfa Romeon
Nëse shpresojmë që automobilistët e parë shqiptarë, të ishin aventurierë të kamur, të velur nga çdo kënaqësi e jetës dhe që sajonin mënyra nga më të çmendurat për pak variacion, ky është gabimi i parë. Ata ishin thjesht shoferët e ndërmarrjeve të para sipërmarrëse italiane, të cilat punonin në ndërtimin e aeroporteve të vogla lokale të Shqipërisë, ndërmarrjeve rruga-ura dhe shoqërive të tjera koncensionare. Neki Arapi, i cili kishte mundur të merrte një patentë shoferi qysh në moshën 17 vjeçare, punonte në një shoqëri italiane e cila po ndërtonte konsullatën italiane të Vlorës duke transportuar zhavorr nga lumi i Shushicës dhe gurë nga Drashovica, 12 kilometra larg qytetit.
Në trafikun inekzistent të Shqipërisë së asokohe, ku nuk mund të bëhej fjalë natyrisht as për rrugë automobilistike, të ëndërroje për një pistë të mirëfilltë garash, do të ishte një marrëzi. Mirëpo ja që Neki Arapi e bëri këtë “gabim”. Ai ëndërroi së bashku me disa miq të tij të organizonin të parën garë automobilizmi në Shqipëri, ku përveç tyre, shoferëve të varfër të ngarkim shkarkimit, mund të konkurronin edhe italianët e parfumosur që linin pas tyre shtëllunga tymi në shëtitoren e qytetit. Shoqëria sportive “Vlora”, e cila u bë dorëzanë e këtij aktiviteti, siguroi një terren të përshtatshëm në vendin e quajtur Jallia e Nartës. Pikërisht në këtë vend ku më pas do të merrnin startin charter-ët e vegjël të aviacionit civil shqiptar, dhe ku tashmë ngrihen me dhjetëra banesa të ligjshme e të paligjshme, do të rreshtoheshin me një seriozitet tragjikomik garëtarët e parë të automobilizmit shqiptar. Tereni ishte i sheshtë ndonëse pa shumë pretendime.
Itinerari që do të përshkohej, i përcaktuar me shenja të veçanta, ndërsa dekori, natyrisht, më luksozi për epokën, bimë zbukuruese, letra shumëngjyrëshe e flamuj mbretërorë nëpër pemët anës “pistës”. Vetë shoferët që do të konkurronin, kishin transportuar me makinat e tyre të rënda të transportit, trarë druri që do të përbënin parmakët gjatë tërë gjatësisë së rrugës. Gjatësia e pistës ishte 3 kilometra, por e përshkuar 12 herë vajtje-ardhje nga konkurrentët, do të rrumbullakoste 36 kilometërshin e mjaftueshëm për ta futur në kategorinë e garave serioze. Kronika e kohës vjen e errët për garën e 24 shtatorit 1929 në Vlorë. Nuk dihet numri i saktë i konkurrentëve dhe as emrat e tyre. Por ata duhet të kenë qenë rreth 10 pilotë, nga Vlora por edhe nga Fieri e Durrësi. Natyrisht nuk mungonin as ata që me shembullin e tyre i kishin shtyrë shqiptarët e pasionuar në këtë aventurë: italianët. Si në shumë ngjarje që ndodhnin për herë të parë në Shqipërinë e paraluftës, ata janë herë protagonistë, e herë pjesëmarrës të pamungueshëm.
Tashmë në epokën e Formula 1 dhe transmetimeve satelitore, mbërrijnë kronikat e vitit 1929, të cilat flasin për një pjesëmarrje të gjerë nga ana e simpatizantëve vlonjatë që mbështesnin me brohoritje beniaminët e tyre gati për t’u nisur në pistë. Por paqartësia me të cilën mbërrijnë në ditët tona të dhënat e garës së 71 viteve më parë, dominon thuajse mbi gjithçka. Nuk ka të dhëna për skuadrat teknike, vendosjen e pilotëve pas provave zyrtare (madje s’dihet në pati prova zyrtare apo jo). Nëse ishin parashikuar pitstop-et dhe nëse pati të aksidentuar. Nuk dihen me saktësi as modelet e makinave me të cilat hynë në garë pjesëmarrësit. Por me siguri bëhet fjalë për disa modele të atyre viteve të shtëpive më të mëdha italiane të automobilizmit, si Alfa Romeo (e cila ishte dhe triumfatorja e parë) ose Bianchi. Nuk mungonin as Renault-ët “antikë” të atyre viteve, ose edhe Geutelman-ët tashmë të harruar.
Ajo që dihet me siguri dhe që do të mbetet në kronikat e të gjitha kohërave, është emri i vlonjatin Neki Arapi. Për kënaqësinë e patriotëve të tij që thërrisnin pa pushim emrin e qytetit të flamurit dhe për habinë e vetë italianëve të cilët konsideroheshin si “ujqërit e timonit”, djaloshi shqiptar, asgjësoi çdo parashikim kur mbërriti i pari në finish. Mbi një Alfa të vjetruar por të zbardhur edhe më keq nga pluhuri i Jallisë së Nartës, ai e kishte përshkruar për 20 minuta e 30 sekonda largësinë prej 36 kilometrash. Nëse shifrat e mbërritura nga ajo kohë tjetër nuk lajthisin, është vetëm aritmetikë e thjeshtë gjithë ç‘mbetet për të përcaktuar shpejtësinë mesatare me të cilën kishte lëvizur ai. E rrëmbyer nga spektakli i evenimentit, kronika e kohës kur bën me dije për ngjarje të mëvonshme që lidhen me këtë aktivitet, flet natyrisht vetëm për aspektet më “intriguese” të saj, duke lënë mënjanë anë që do të zgjonin kërshëri sot.
Për shembull nuk thuhet asnjë fjalë për mekanikët që mund të kenë asistuar në fitoren e Arapit me Alfën e tij. E megjithatë përshkruhet me bujë të madhe, fakti se jehona për këtë garë mbërriti deri larg. Aq sa edhe vetë shoqëria italiane e prodhimit të automobilave të markës Alfa Romeo, dërgoi në Vlorë një nga prototipat e saj të asaj kohe, një bizhu të vërtetë të teknikës, si dhuratë për shqiptarin që u kishte zbardhur faqen në garën e bregut tjetër. Neki Arapi u shndërrua menjëherë në një hero të qytetit të tij. Disa gazeta shkruan për të. Por në fund kur buja i la vendin së përditshmes, ai iu kthye përsëri makinës së tij të transportit dhe punës së tij të rëndë.
Megjithatë, guri i parë i themelit ishte hedhur. Gara e automobilizmit u kishte hyrë tashmë në qejf shqiptarëve thuajse po aq sa makaronat që po “eksploronin” vendin e tyre në të njëjtën kohë. Dy vjet më vonë, kur shënohet gara e dytë e automobilizmit, përsëri në të njëjtën pistë ku lanë gjurmët e tyre gomat e makinave të së parës, detajet janë shtuar. Pjesëmarrja është më e lartë. Gjeografia e pilotëve, po ashtu. Ethet e konkurrencës duket se i përshkojnë pa dallim të gjithë, shqiptarë e italianë. Kujtimi i Arapit me çelësat e një Alfe fringo të re në duar, vetëtin në mendjet e të gjithëve dhe kjo u jep zemër. Përsëri shoqëria “Vlora” është kujdesur për gjithçka dhe në pistën e Jallisë dukeshin edhe më shumë tifozë se herën e kaluar.
Të ardhur me shumicë edhe nga fshatrat, ku zhurma e një makine ishte padyshim një ngjarje tmerrësisht më e bujshme se në qytet, simpatizantët shihnin me habi sesi pilotët u jepnin gaz në vend “breshkave” që më pas do t’ia shkelin me sa u mbante kilometrazhi. Si në çdo garë, edhe kësaj radhe ka favoritë, sfidantë dhe pjesëmarrës për sfond. Vlash Rama, një durrsak me Renault, nipi i të cilit sot është kryeministër, u duk që në fillim se do të ishte emri i përveçëm i garës. Gjyshi i Edi Ramës, me ç‘duket shofer me koncepte të formuara, rivalizoi ca me disa vlonjatë e italianë që u rrekën ta parakalojnë, por në fund hyri i pari në finish. Koha e tij, nuk ishte edhe aq e mirë sa e pararendësit të tij, Arapit, por sidoqoftë për 21 minuta e 08 sekonda, ai bëri të tijin trofeun “Vlora” të vënë si shpërblim nga shoqëria. I dyti u rendit vlonjati Ibrahimi me kohën 25’05” me një Bianki që duket se pati probleme gjatë rrugës.
Por nuk mbaroi këtu. Më 1931, pasioni për automobilizmin kishte mbërritur aq larg, saqë pistës së Jallisë, iu “shtrydhën” mirë resurset atë ditë. Pas garës kryesore, gjysmë ore pushim. Më pas përsëri një aradhe e re pilotësh zhvilloi garën e veturave me cilindrat të vogël. I pari në pod, Gjysh Ibrahimi që kishte dështuar në garën e “fortë”. Më pas, si për t’ia pirë lëngun deri në fund asaj ditë triumfale, një garë tjetër. Kësaj radhe u rreshtuan vetëm makinat e markës “Geutelman”. Kampionati i dytë, u mbyll me fitoren e italianit Alberto Allegro.
Ajo që mund të shënohet është se koha e garës së Neki Arapit mbeti e paarritshme dhe është ende edhe sot një rekord i pathyer. Vlonjati i brezit të artë të viteve 20-30, nuk qëndroi edhe për shumë kohë në qytetin e tij të lindjes dhe të famës. Varfëria ishte emërues i përbashkët i të gjitha arsyeve të asaj kohe dhe i shtyrë prej saj, ai së bashku me të vëllain murator, Saliun, u transferuan në Tiranë. Ndërtimtaria në kryeqytet po përjetonte në atë kohë një boom të paparë dhe ndërmarrjet e mëdha italiane që kishin marrë përsipër ngritjen e një kryeqyteti të denjë për shqiptarët, kërkonin pa pushim krahë të lirë pune që derdhej nga të katër anët e vendit.
Kampioni Arapi, punoi së bashku me të vëllain në ndërtimin e disa godinave ku janë sot shkollat ushtarake, në ndërtimin e kazermave për ushtrinë, si dhe në ata të kompleksit spektakolar të ministrive, të cilat qysh prej asaj kohe vazhdojnë të përbëjnë krenarinë e Tiranës. Miqësia mes shqiptarëve dhe italianëve nuk zgjati shumë sepse mbërriti periudha e luftës. Lojërat dhe garat u lanë mënjanë, heronjtë e përbashkët u harruan dhe nisën të flasin armët. Dhe heroi i garës së parë me makina, u kthyen Vlorë ku punoi për ndërmarrjen e punëve publike (ose siç quheshin atëherë: punët botore) e cila administrohej nga bashkia e qytetit të pushtuar nga italianët. Në sytë e bashkëqytetarëve megjithatë, ai ishte Nekiu i Jallisë.
Timonit nuk e ndahej. Madje edhe pas luftës, qytetarët kujtojnë shkathtësinë e manovrimit të tij një ditë tetori më 1945 kur shmangu një aksident të sigurt në mes të qytetit. Pas vdekjes së tij, pinjollët e mëpastajmë të familjes kanë nisur të interesohen dhe të shkundin nga kronikat e pluhurosura emrin e ungjit të tyre të famshëm. Data e 24 shtatorit të 1929 duket e largët, por është sidoqoftë zanafilla e një historie të këputur në mes. Asaj të automobilizmit. Një sporti që të dielave të kohëve tona rrëmben thuajse gjithë gjindjen në rrugët për ta ngulur përpara televizorëve dhe ku tifozët e Ferrarit vazhdojnë grindjen historike me ata të McLarenit, ndërsa të nesërmen fituesi i një dite më parë do të kuptohet nga T shirt-sat me emrin e tij që veshin nxënësit e filloreve. Por ata ndoshta nuk dinë asgjë për 1929-ën.
Shto koment