Mund të tingëllojë si skenari i një filmi aksion ama përdorimi i kafshëve për qëllime ushtarake ka një histori të gjatë dhe është shumë më i zakonshëm seç mund të mendohet.
Në fakt është e vërtetë, sipas imazheve satelitore, ushtria ruse duket se po përdor delfinë të trajnuar për të mbrojtur bazën e saj detare në Detin e Zi.
Imazhet e publikuara nga kompanie amerikane satelitore Maxar kanë kapur dy struktura të ndërtuara në portin Sevastopol në kepin jugor të Krimesë.
Rusia thuhet të ketë nisur trajnimin e kafshëve detare për qëllime ushtarake që në vitet 60-të.
Gjatë Luftës së Ftohtë, edhe SHBA dhe Bashkimi Sovjetik kanë zhvilluar programe ushtarake për delfinët dhe luanët e detit.
Si përdoren delfinët për operacione ushtarake?
Delfinët mund të komunikojnë me njëri tjetrin me anë të tingujve apo disa fishkëllimave me frekuenca të larta.
Në të njëjtën kohë ato mund të ndjejnë prezencën e objekteve dhe të përcaktojnë distancën prej tyre me anë të një aftësie të njohur si eko-lokacion.
Kjo aftësi i lejon delfinët të dërgojnë valë zanore me frekuenca të larta të cilat përplasen me objektet dhe kthehen rikoshet duke zbuluar vendndodhjen dhe largësinë e tyre nga delfinët.
Delfinë të trajnuar e përdorin këtë shqisë natyrore për të dalluar prezencën e objekteve të ndryshme që mund të jenë kërcënime të mundshme, si minat nën-ujore apo zhytësit e palës armike.
“Specialistët tanë kanë ndërtuar pajisje të reja të cilat konvertojnë këtë frekuencë të dërguar nga delfinët në një sinjal i cili dërgohet drejt e tek operatorët tanë monitorues,” – raportoi agjencia ruse mediatike RIA Novosti.
SHBA i ka përdorur gjithashtu prej vitesh delfinët për të kryer detyra të cilat njerëzit e kanë të pamundur t’i bëjnë, duke nisur nga zbulimi i minave nën-ujore, tek gjetja e objekteve të humbura apo edhe grumbullimi i inteligjencës.
Programi i flotës ushtarake amerikane thuhet se ka shpenzuar mbi $75 milionë dollarë për trajnimin e delfinëve nga viti 2012-2019, sipas Hakai Magazine.
Aftësitë e delfinëve u përdorën nga amerikanët edhe gjatë Luftës së Irakut në vitin 2003.
Dy prej tyre me emrat Makai dhe Tacoma, u stërvitën për të pastruar shtegun që duhet të ndiqej nga anijet humanitare.
Ata indetifikuan prezencën e minave dhe vendosën shënjues lehtësisht të identifikueshëm nga anijet që do të kalonin mbi këto ujëra të rrezikshëm.
Sidoqoftë, organizata për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve si PETA kanë bërë thirrje kundër këtyre praktikave duke i quajtur ato abuzive.
Në një prej deklaratave të tyre ata thanë se, “Lufta është një sipërmarrje njerëzore dhe ndërkohë që njerëzit dhe partitë politike mund të vendosni nëse ajo është e nevojshme, kafshët nuk mund ta bëjnë dot këtë.”
Shto koment