115 punëtorë nga India, Bangladeshi dhe Nepali janë punësuar vetëm gjatë dy muajve të fundit në qarkun e Vlorës. Po kështu janë dhe 97 të huaj nga Italia dhe vendet fqinje. Numri në rritje i të huajve ka ardhur për shkak se sipërmarrësit nuk gjejnë punëtorë vendas, thotë Gjinovefa Xhori specialiste e zyrës së Punës.
“Krahasimisht me vitin e kaluar kemi pasur një rritje të kërkesave për leje pune në zbatim të ligjit për të huaj, i ndryshuar tashmë dhe për faktin se shumë punëdhënës kërkojnë punëtorë të huaj nga shtete të ndryshme nga Nepali, Bangladeshi, India”, tha Gjinovefa Xhori specialiste për migracionin dhe marrëdhëniet e punës.
Ata kanë ardhur në Shqipëri në bazë të kontratave që kanë nënshkruar me sipërmarrësit shqiptar dhe punojnë në sektorët e turizmit, fasonerisë e ndërtimit.
“Kemi numër shumë të madh aplikimesh për leje pune, tani kemi pajisur 115 shtetas të huaj. Subjektet janë në hoteleri turizëm që kërkon shumë punonjës për momentin dhe fasoneritë pasi punëdhënësit pretendojnë se nuk i gjejnë në tregun vendas dhe nuk përputhen kërkesat e punëdhënsve tanë me ofertat e punëdhënse. Edhe ndërtimi ka marrë shumë shtetas të huaj që punojnë”, shtoi specialistja.
Mirëpo në Vlorë ka dhe shumë të huaj që janë vetëpunësuar.
Ndërsa të vetëpunësuarit janë shtetas bjellorus, ukrainas rus, të cilët kanë edhe disa vite të tjera që ushtrojnë punën këtu dhe kryesisht ata paraqiten për ripërtëritje të lejes së punës”, theksoi se Xhori.
Shto koment