Welcome to Vlora

Qershori nis i nxehtë, fluks pushuesish në Vlorë, 80% e dhomave të zëna! Pushuesit: Çmime të larta

Fundjava e parë e qershorit solli fluks pushuesish dhe turistësh të huaj në bregdetin e Vlorës. Pushuesit thonë se ka një përmirësim të kushteve të plazheve por problematikë për ta mbeten çmimet e larta dhe mungesa e tualeteve publike.

Temperaturat e larta të fillim qershorit kanë shtuar numrin e pushuesve dhe turistëve që zgjedhin bregdetin e Vlorës për të shijuar fundjavën. Fluksi i lartë i pushuesve shkaktoi fundjavën e parë me qarkullim të rënduar të automjeteve në akset kryesore siç janë rruga Transballkanike, Lungomare apo dhe Vlorë-Orikum.

Të ardhur nga qytete të ndryshme, por edhe emigrantë nga Italia thonë se ka një përmirësim të kushteve të plazheve. Nuk mungojnë problematikat si mungesa e dusheve, banjave publike apo dhe papastërtitë.

“Duhet pak pastërti më shumë besoj. Mëngjesi për shembull kur del këto plehrat janë të pambledhura”, shprehet një pushuese nga Korça.

“Shoh vërtet ndryshime në Vlorë, pastërti, rregull edhe deti është shumë herë më i pastër nga vitet e kaluara. Nëse do të shmangeshin dhe këto ujërat e bardha që të mos dilnin edhe këto do ishte mirë për Vlorën”, thotë një pushues tjetër.

“Mirë është deti, nuk paguajmë asnjë lekë. E mira do ishte të kishte dhe ndonjë banjo se njerëzit do venë të ndërrohen”, thotë një tjetër.

Sa i përket prenotimeve nga njësitë hoteliere shifrat flasin për 80% të dhomave të hotelerisë të prenotuara tashmë në Vlorë. Edhe pse kushtet për ta janë më të mira, moshë e tretë nuk mund të përballojë dot koston e një plazhi privat.

“Çmimet ushqimore janë më të larta se në Itali. Fruta –perimet janë normale edhe mund të përballohen por ushqimet, si vaji, orizi, sheqeri, mielli këto qeveria duhet t’i shikojë”, thotë një emigrant i ardhur nga Italia.

Sezoni turistik veror tashmë duket ka nisur dhe Vlora ashtu si çdo vit pritet të ketë një vëmendje të shtuar nga vizitorë e pushues vendas dhe të huaj.

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.