Gjashtë persona janë plagosur pasi makina me të cilën po udhëtonin në Nartë të Vlorës humbi kontrollin duke u përplasur me shtyllën.
Familja me dy fëmijë të mitur 7 dhe 15 vjeç dhe dy të afërm po udhëtonte me taksinë tip “Mercedes”, e cila ka dalë nga rruga.
Të plagosurit morën trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Vlorës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i makinës ishte kryefamiljari, i cili po udhëtonte me gruan e dy fëmijët e mitur dhe dy persona të tjerë, L. P., 76 vjeç dhe E. P., 63 vjeçe.
Nga përplasja e fortë me shtyllën, makina është dëmtuar shumë në pjesën e përparme dhe në anën e djathtë.
Sipas të dhënave të fundit, rezulton se drejtuesi ishte i dehur.
Pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se ai po drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.987 mg/l.
Ai është arrestuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
“Në vijim të veprimeve, në lidhje me aksidentin e ndodhur gjatë ditës së sotme, në fshatin Nartë, ku shtetasi S. D, duke drejtuar automjetin tip “Benz” (taksi), në të cilën udhëtonte me bashkëshorten, 2 fëmijët e tij dhe 2 të afërm të tjerë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën, ka humbur kontrollin e automjetit dhe si pasojë është përplasur me një shtyllë, ju informojmë se: Nga specialistët për Qarkullimin Rrugor në DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” i shtetasit S. D, 54 vjeç, banues në Vlorë, i cili pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.987 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sqaron policia.
Shto koment