Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur operacionin e SPAK në Morinë, ku u arrestuan disa efektivë policie të cilët në bashkëpunim me person të tjerë kryenin korrupsion.
“Përgëzime SHÇBA-së dhe SPAK-ut për operacionin shembullor të goditjes së një çerdheje të korruptuarish në Policinë e Shtetit! Uroj që kjo frymë e cilësi bashkëpunimi të vazhdojë në funksion të fshirjes së çdo njolle që ndot uniformën e policisë”, shkruan Rama.
Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Departamentin e Policisë Kufitare ka ekzekutuar Urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për zbatimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj 34 shtetasve, përkatësisht 15 punonjës policie me masën “Arrest në burg” e 1 i shpallur në kërkim; 12 punonjës policie “Arrest në shtëpi”; 4 punonjës policie “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe 2 shtetas me masën “Arrest në shtëpi”.
Shto koment