Welcome to Vlora

Kriza e çmimeve të energjisë dhe inflacioni/ Rama nga Shkupi: Ja çfarë do ti kërkojmë BE-së në 6 dhjetor

Në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kryeministri Edi Rama tha se në samitin që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor, mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të kërkojnë nga unioni “që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar qoftë goditjes së madhe të energjisë elektrike qoftë dhe inflacionit të luftës”.

Nga ana tjetër Rama tha se “kemi parë rezultate të mira në kuadër të marrëveshjeve të bëra nga Ballkani i Hapur e do të jemi mbështetës të palëkundur dhe të Procesit të Berlinit duke mos i parë në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra tjetrës”.

“Në një kontekst tjetër sa i takon situatës në Evropë në rajon e vendet tona. Lufta e Putinit në Ukrainë godet, shkatërron, hap plagë dhe dëbon njerëz nga vendi i tyre, por është e provokuar për të gjunjëzuar Perëndimin, bashkësinë euroatlantike, të gjitha vendet në Perëndim të Rusisë, pjesë e të cilave jemi dhe ne Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Lufta në vendet tona nuk ka ardhur me bomba e shkatërrime fizike por me çmimet stratosferike të energjisë elektrike në tregjet dhe inflacionin e luftës i cili ka vënë në vështirësi gjithë vendet që nga të pasurat, deri tek më pak të pasurat siç jemi dhe ne.

Gjithmonë e më e qartë që s’ka asnjë rrugë tjetër përballimi me sfidat e kohës dhe vështirësitë e tejskajshme që ka sjellë përveç bashkëpunimit, krijimit të sa më shumë sinergjive të reja e adoptimit me një situatë që ne këtu në rajon jemi shumë të vegjël për të qëndruar me kurriz nga njëri tjetri e kemi shumë për të bërë me njëri tjetrin.

Më në fund e kapërcyem hendekun e madh dhe torturues mes të qenurit gati për ti hapur bisedimet për anëtarësim e refuzimit të vazhdueshëm nga ana e BE.

Sot të dyja vendet tona kanë çelur procesin e negociatave dhe kanë hedhur një hap të madh përpara.

Më 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet samiti i BE me Ballkanin Perëndimor dhe ne do të jemi aty bashkë me të gjitha dëshirat problemet, e sfidat tona që janë gjithmonë e më të njëjta me ato të vendeve të tjera të BE.

E është koha besoj unë për të projektuar të ardhmen përtej luftës duke kërkuar së bashku të gjitha vendet tona nga BE që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për ti rezistuar qoftë goditjes së madhe të energjisë elektrike qoftë dhe inflacionit të luftës.

Për të ndërtuar një plan të përbashkët që të na japë mundësi të shohim përtej kësaj faze të vështirë e të zymtë e jo të pambarimtë, nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen.

Në këtë aspekt do thosha që Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë bërë një farë përgatitje duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen jo si shtete më vete por dhe në mënyrë kolektive si vende të së njëjtës zonë gjeografike, qoftë në aspektin e Ballkanit Perëndimor qoftë në aspektin e BE si destinacioni ynë.

Besoj që Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen, për të projektuar një të ardhme që të rrisë në maksimum aftësitë që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe se nga hapësira e përveçme gjeografike.

Kemi parë rezultate të mira në kuadër të marrëveshjeve të bëra nga Ballkani i Hapur e do të jemi mbështetës të palëkundur dhe të Procesit të Berlinit në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra tjetrës.”

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.