Keni dëgjuar për Josef Koten? Nëse jo, mos e humb këtë shkrim. Jozefi është piktor dhe veprat e tij ekspozohen në galeritë më të mira amerikane, në Cutter and Cutter Fine Art apo Ocean Galleries Stone Harbor. Aty ku gjen Chagall, Miro, Dali, do gjesh edhe piktorin vlonjat.
do ju njohë sot me këtë piktor, çdo veper e të cilit nuk ndodh të shitet, nën vlerën e 30 mijë dollarëve. Ju mbase nuk e dini, por dhe veprat e Kadaresë mbajnë në kopertinë, pikturat e tij.
Josef Kote ka lindur në vitin 1964 në Selenicë të Vlorës. Që i vogël, e ka ditur që piktura ishte dëshira e tij më e madhe në jetë. Rrugëtimi i tij drejt artit nisi qe në moshën 13-vjeçare. Josef kishte ëndrra të mëdha, por as i shkonte ne mendje, se skicat që bënte në atë kohë, ishin punime të një piktori, që një ditë do bëhej aq i njohur në botë.
Josef, 13 vjeç, mori pjesë në konkursin për të fituar fillimisht në Vlorë, e më pas në Tiranë, për të studiuar për art në Liceun Artistik. Pasi fitoi dhe e mbaroi liceun, konkurroi sërish për në Akademinë e Arteve, ku dhe u diplomua për “Pikturë dhe Skenografi”. 8 vjet studime ishin të mjaftueshme për atë që të merrte bazën, e cila do e ndihmonte për të vazhduar rrugën e artit.
Në vitin e fundit të studimeve në Akademinë e Arteve, Josef Kote, punoi në Kinostudion Shqiptare, ku realizoi një film vizatimor të titulluar “Lisi”, si piktor dhe animator. Pas shkollës u emërua si skenograf në teatrin e Vlorës, ku ka punuar vetëm për një periudhë të shkurtër.
Josefit nuk i premtonte shumë Vlora dhe Shqipëria, që të bëhej artisti që kishte ëndërr. Kështu, ai u largua fillimisht në Greqi, pastaj në Toronto të Kanadasë, zhvendosje të cilat kanë pasur një ndikim të madh në formimin tij si artist. Ndërsa sot ai jeton në New York.
Janë bërë pothuajse 28 vjet që nga largimi i tij nga Shqipëria, dhe rrugëtimi i tij i gjatë nga një vend në tjetrin janë bërë gjithmonë në kërkim dhe në eksperimentim të vetes. Zhvendosja e tij përfundimisht në Amerikë ka qenë një nga zgjedhjet më të mira, për një artist që i jep jetë gjithçkaje që e rrethon, mjafton një furçë dhe ca ngjyra.
Ekspozitat e tij kanë qenë të shumta, jo vetëm në Amerikë, por dhe në Kanada e Greqi. Josef është nderuar gjithashtu me disa çmime, që për një piktor janë një kënaqësi e madhe shpirtërore dhe vlerësim i një pune intensive e krijuese.
Pikturat e tij, ekspozohen në galeritë e njohura në Amerikë, si Cutter and Cutter Fine Art, Ocean Galleries Stone Harbor, Onesimo Fine Art etj.
Shto koment