Deizi Arapi, vajza së cilës sot iu dogj makina këron ndihë nga shteti. Ajo thotë se e njeh autorin dhe ngjarja ka lidhje me heqjen e nënës së saj nga puna disa vjet më parë. Ajo thotë se nëseshteti nuk reagon, herën tjetër do ta gjejnë kanaleve dhe për këtë është e sigurt.
“Ka qenë i njëjti person që ka qenë mbrëmë duke më ruajtur, kemi shkëmbyer dy fjalë bashkë, por duket që ka qenë në pritje të parkimit të makinës sime dhe më pas të kryente aktin. I lutem shtetit të verë dorën në zemër, është hera e dytë, herën e tretë besoj do më gjeni kanaleve e sigurt”. Është kjo deklarata e Deizi Arapit, të cilës gjatë natës i dogjën makinën.
Ajo pretendon se i ka me emra dhe me fakte personat që e kanë kryer këtë akt. Gjatë një prononcimi për mediat, e reja nga Bilishti i bën thirrje shtetit për ndihmë. Ajo thekson se kjo është hera e dytë që i është djegur mjeti.
“I bëj thirrje shtetit shqiptar se është hera e dytë që më djegin makinën, është hera e dytë që ndodh në një interval kohe prej 4 vitesh. Unë jam femër. As kam vrarë, as kam prerë, as kam bërë ndonjë krim që të ngrihem në orën 2 e gjysmë të natës dhe të gjej këtë që shikoni dhe vetë. Ju lutem se jeta ime është në rrezik, nuk mund të fle dot e qetë. Nuk mund të dal dot. Nuk mund të parkoj dot makinën jashtë shtëpisë se do e gjej në këtë gjendje. Unë kam dyshimet e mia se kush ma ka bërë. Kam parë skenën, kam parë personin që më ruante, i kam me emra, i kam me fakte. Personi është treguar neglizhent se ka harruar edhe bidonin e benzinës që e ka hedhur. I kërkoj shtetit që të paktën kësaj radhe të verë dorën në zemër, se kemi familjarë në shtëpi”, shprehet Arapi.
E reja thotë se ka dhënë deklaratën në polici dhe ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të vjetër.
“Dyshoj për një konflikt shumë të vjetër që ka të bëjë me heqjen e mamasë time nga puna dikur me një ish-kryetar që ka qenë në qytetin e Bilishtit, i cili e hoqi mamanë time nga puna në mënyrë mizore. Patëm një konflikt me kryetarin sepse na përplasi derën turinjve dhe që prej asaj kohe na u dogj makina ime…”, tha ajo.
Policia po heton për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje. Ende nuk është përcaktuar nëse mjeti është djegur aksidentalisht apo qëllimisht.
Mësohet se pronarja e mjetit u procedua disa javë më parë pasi u konfliktua me punonjësit e policisë gjatë shoqërimit në Komisariat pas ankesave të banorëve për prishje të qetësisë publike.
Ish kryetari i Bashkisë Devoll është Bledjon Nallbati, aktualisht deputet i PD-së.
Shto koment