Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro ka bërë bilancin e sezonit turistik verior, ku ka deklaruar se gjatë 2022 janë futur në Shqipëri rreth 29% më shumë vizitorë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kumbaro theksoi se më shumë se 5 milionë turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë deri më 30 gusht.
“5 milion e 667 e 121 vizitorë të huaj kemi shënuar këtë vit deri më 30 gusht. Nuk përfshihen mysafirët që vijnë nga Kosova përmes Morinës pasi ata nuk regjistrohen më aty. Mund të themi që kemi pasur 29% më shumë vizitorë se viti i kaluar. Kjo tregon një rritje të reputacionit të Shqipërisë. Lëvizjet e tyre tregojnë se ka pasur diversifikim në ofertën turistike.41% e turistëve të huaj, sipas shifrave të INSTAT kanë preferuar veriun. Rajoni qendror i Shqipërisë ka pasur një rritje 138% më shumë se një vit më parë. Për vitin 2023 puna ka nisur që në 25 gusht. Gjithçka që ne e bëmë vitin e kaluar mes janarit dhe prillit do të mbyllet këtë vit mes shtatorit dhe dhjetorit”, tha Kumbaro.
Po ashtu, ministrja Kumbaro bëri me dije se stacionet e plazheve do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës, ndërsa shtoi se duke nisur nga data 1 deri në 30 dhjetor, do të hapen aplikimet për certifikimin e aktivitetit për ofrimin e mjeteve lundruese.
“Stacionet e plazheve, dhe stacionet për mjetet lundruese do të hyjnë në funksion brenda vjeshtës. Nga data 1-30 dhjetor do të jenë të hapura aplikimet për certifikimin e aktivitetin për ofrimin e mjeteve lundruese, po ashtu është koha për të aplikuar edhe për stacionet. Në vitin 2023, 30% e plazheve do të jenë publike”, tha Kumbaro.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se bilanci i sezonit turistik veror ka qenë më i mbari krahasuar me vitet e tjera, dhe kjo sipas kreut të qeverisë jo vetëm nga flukset e të ardhurave në ekonomi dhe të turistëve të huaj po ashtu, por edhe përsa i takon pastërtisë e shërbimeve publike. Kryeministri theksoi se Shqipëria brenda 10-vjeçarit do të bëhet kampione e Ballkanit në Turizëm.
“Shqipëria në të gjithë mediat e rëndësishme botërore që shkruajnë për turizmin Shqipëria e nxjerr kokën diku më shumë, diku më pak, është mes vendeve që rekomandohen për tu vizituar dhe për të kaluar pushimet. Ky është një ndryshim radikal. Kemi pasur falë punës këmbëngulëse, si sot e një vit më parë, siç kemi filluar sot punën për vitin e ardhshëm, falë disa shembujve shumë inkurajues të një bashkie të vetme, atë të Lezhës përsa i përket pastërtisë dhe sot, me përjashtimin spektakolar të bashkisë Vlorë, kemi pasur një sezon, jo më të pastër se asnjëherë, se kjo nuk është ndonjë gjë e madhe, por një sezon realisht të pastër. Duke filluar nga Tirana, të gjitha përshtypjet e anketuara fillojnë me pastërtinë. Në një kryeqytet që ishte simboli I pisllëkut pas 4 vitesh që ra në atë gjumin e thellë bashkë me atë që gërhiste, sot kemi të gjitha mundësitë që të shohim atë që do jetë Shqipëria e 2030 si një potencë turistike në rajon, mes 25-30%. Investimet që po bëhen janë të një proporcioni që mundëson këtë ambicie. Shqipëria do bëhet kampione e Ballkanit në turizëm në këtë10-vjeçar”, tha Rama.
Shto koment