WelcometoVlora

Ishulli i Sazanit, konsiderohet një “enigmë e pazbuluar”.

Ishulli i Sazanit është një nga ishujt më të bukur të vendit tonë, të cilin e bën edhe më të veçantë historia që ka, pasi ai mund të konsiderohet një “enigmë e pazbuluar”. Ishulli i Sazanit në Vlorë është ishulli i vetëm i banuar në Shqipëri. I hapur për turistët që më 1 maj, kjo perlë e vendit tonë do të mund të vizitohet nga shqiptarët, por edhe të huajt deri më 31 tetor. Nëse e sheh nga afër këtë mrekulli të natyrës, me siguri do të mbetesh gojëhapur. Por, edhe më mahnitëse janë pamjet e filmuara me dron sjell për të gjithë ju të pasonuarit pas bukurive natyrore.

Por, përse quhet një enigmë e pazbuluar ky ishull në Vlorë? I konsideruar si një ishull ushtarak, ai u hap për herë të parë pas 70 vitesh në vitin 2015, por u mbyll sërish për çështje sigurie.

Më parë ai është përdorur nga Sovjetikët si bazë ushtarake, ku mbaheshin dhe armë kimike, gjë që e pati bërë ishullin të pabanuar dhe me ajër të ndotur. Sazani, që dikur njihej me emrin Saseno, ishte projektuar për t’i bërë rezistencë dhe sulmit nuklear. Në këtë ishull ka ende tunele dhe llogore nga koha kur ishte bazë ushtarake për t’i bërë ballë sulmeve nukleare nga Perëndimi. Në kodrat e ishullit gjenden rreth 3 600 bunkerë, disa prej të cilëve kanë krevate dhe karrige, ndërsa operacionet ushtarake që kryheshin atje magjepsën publikun gjatë Luftës së Ftohtë.

Rreth viteve 1910, Italia mori në zotërim ishullin me marrëveshje që ndante Shqipërinë mes Greqisë dhe Italisë dhe u përdor nga italianët si bazë ushtarake deri sa komunistët e rimorën. Në librin “The Cold War: A History”, thuhet se Bashkimi Sovjetik i fali Shqipërisë borxhet në shkëmbim të përdorimit të Sazanit, pak vite pasi në pushtet erdhën komunistët. Aktiviteti i sovjetikëve në ishull është vëzhguar nga afër nga britanikët dhe amerikanët për shumë vite. Departamenti Amerikan i Shtetit shkruante në vitin 1951 se Sazani ishte përdorur nga Italia si bazë për nëndetëse dhe se kishte dyshime se Sovjetikët po përpiqeshin të rindërtonin bazë për të njëjtin funksion. Në vitin 1949, revista “Harpers”,e quante Sazanin “Gjibraltarin sekret të Rusisë”. “Ekspertët po mbikëqyrin mbërritjen e anijeve sovjetike në portet e Shqipërisë, pasi Rusia e ka kthyer vendin në një bazë për t’iu kundërpërgjigjur SHBA-ve”, shkruhej në një gazetë amerikane në vitin 1957.

Në vitin 1961, shtypi shkruante se Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria ndërprenë marrëdhëniet dhe se anijet sovjetike ishin larguar nga ishulli. Pas viteve ’90, ushtarakët u larguan me familjet e tyre, ndërsa ishulli ngeli vetëm në ruajtje të një skuadre ushtarësh. Pas trazirave të ’97-ës, veç forcave të ushtrisë shqiptare, në Sazan u instaluan edhe forcat ushtarake italiane të Guardia di Finanza-s, me qëllim për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, trafikun e drogës, kontrabandën e mallrave të ndryshme etj. Incidentet ndërmjet dy forcave ushtarake nuk kanë munguar, madje edhe deri në drejtimin e armëve njëri-tjetrit, ku shkak është bërë se kush do të kishte komandën për të lejuar apo jo civilë të hyjnë në zonën e ishullit, e konsideruar tashmë si një zonë e mirëfilltë ushtarake.

Në 2010-ën ishulli që dikur ishte bazë e 3 mijë trupave ushtarake u shpall “Zonë e Mbrojtur”. Aty qëndrojnë vetëm dy marinarë, të cilët kanë si detyrë të kontrollojnë aktivitetet e paligjshme mes Shqipërisë dhe Italisë. Sot, ky ishull po kthehet në një nga destinacionet e preferuara të turistëve, të cilët duan të “prekin” nga afër këtë vend të mahnitshëm që mbart një histori të rrallë.

Add comment