Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço është ndalur në një shkrim të gjatë të tij në raportion e fundit të Shërbimit Informativ Shtetëror. Ky raport ngjalli diskutime të shumta në publik, pasi publikoi përgjimet sesi n jë zyrtar shqiptar ka tentuar t’i shesë sekrete shtetërore një diplomati të huaj.
Karamuço thekson se Shqipëria është nga vendet e pakta në kontinent, që nuk ofron studime pasuniversitare për sigurinë kombëtare. Eksperti, kla renditur ndër të tjera disa nga rreziqet më të mëdha për shqiptarët.
E plotë nga Ervin Karamuço:
Raporti i 4-ërt i SHISH, i cili u bë publik në mënyrë të plotë të premten, krijoi një entuziazëm të madh mediatik për shpëtimin që na vjen nga ky organ sa herë flitet për rreziqe të sigurisë kombëtare. Shqipëria është nga vendet e pakta në kontinent, që nuk ofron studime pasuniversitare për sigurinë kombëtare. Profesionistët e vërtetë të kësaj fushe, formohen duke punuar ose duke ndjekur kurse specializimi afatshkurtra. Madje si për ironi të fatit, ditën e daljes në dritë të këtij raporti Z. Bendaj vijonte në USA një trajnim afatshkurtër për elementë të lidhur me sigurinë kombëtare.
I vetmi specializim që ofron një përgatitje për mbrojtjen e elementëve të sigurisë kombëtare, organizohet çdo vit në Akademinë Ushtarake në bashkëpunim me NATO dhe zgjat 3 muaj. Çdo studim tjetër në nivel master që zhvillohet në Shqipëri, ka lidhje me formimin në fushën e sigurisë publike. Shpesh nocioni siguri kombëtare dhe siguri publike janë përzjerë rrëmujshëm dhe pa një merak shkencor për definicion korrekt. Por në debate dhe këndvështrime të mirëfillta shkencore ato kanë dallime thelbësore. Megjithatë, nga një anketim të bërë së fundi në nivel ballkanik, vetëm 7% e Shqiptarëve kanë dijeni bazike mbi rreziqet e sigurisë kombëtare që ju kanosen. Pjesa tjetër ose nuk kanë dijeni aspak, ose i ngatërrojnë këto rreziqe me ato të rendit dhe sigurisë publike.
Raporti i fundit i SHISH, pavarësisht se futi në kurth opinionin publik me histori spiunazhi, shkruar nga kalemxhinj të vjetër që jetojnë ende me përditshmëritë e komunikimit me kabina telefonike të harruara, ja doli të japë një ekspoze të shkurtër dhe të ngurtë të rreziqeve kombëtare.
Për një përkufizim të shpejtë, rreziqet e sigurisë kombëtare janë flukse veprimesh armiqësore që vijnë nga vende jo mike dhe që favorizohen nga elementë të brendshëm destruktiv të sigurisë publike. Ky koncept në dukje abstrakt merr trajtë reale kur flitet për çështje konkrete.
Për sa më lart, Shqipëria rrezikohet kryesisht nga këto elementë:
-Krijimi i një destabiliteti të brendshëm për të dëmtuar proceset integruese dhe imazhin e Shqipërisë si vend pro perëndimor dhe anëtar i NATO;
– Dëmtimin ose uljen e efektivitetit të kapaciteteve tona mbrojtëse, që janë ndërtuar dhe ekzistojnë falë koordinimit dhe mbështetjes nga strukura partnere, kryesisht vende të NATO;
-Dëmtimin e resurseve ekonomiko-financiare duke depërtuar me subjekte në mbulim që synojnë të dëmtojnë ose marrin në kontroll dhe varësi sektorë jetik në këto fusha;
-Korruptimin e vazhdueshëm të niveleve drejtuese politike dhe vendimarrëse në Shqipëri për nevoja të përmbushjes së misionit të tyre jo miqësor;
-Nxitjen e panikut dhe pasigurisë së brendshme publike, e lidhur edhe me fuqizimin e grupeve kriminale, duke ndikuar në mënyra të ndryshme për përkeqsim të parametrave të sigurisë;
-Propagandimin për mungesë shprese, pesimizmi dhe emigrimi si zgjidhje, me qëllimin për të nxitur shpipullimin e Shqipërisë brenda një kohe sa më të shkurtër ;
-Marrjen nën kontroll të elementëve që ndikojnë në opinionin publik për të tërhequr sa më shumë qytetarë në simpatinë dhe kauzat e tyre jo miqësore;
-Dëmtimin e elementëve mjedisor dhe të atraksioneve turistike për uljen e përfitimeve ekonomike dhe rrudhjen e të ardhura në këtë fushë;
Përveç sa më lart, rreziqe të tjera mund të quhen të bardha. Ato vijnë nganjëherë edhe nga vende mike, të cilat pavarësisht partneritetit, duan të penetrojnë në forma tradicionale dhe jo tradicionale spiunazhi për të kuptuar pikat e dobta dhe seriozitetin e angazhimeve tona institucionale në marrëdhënie me ta. Pra ata duan të kuptojnë nëse jua kemi me hile ose jo dhe sa të vërtetë jemi në ato që ju premtojmë dhe bashkëpunojmë.
Krahas vëmendjes dhe seriozitetit institucional për ti trajtuar rreziqet e mësipërme me përparësitë e duhura, të gjithë qytetarët kanë detyrimin të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent në përditshmërinë e tyre. Sipas të gjitha kalkulimeve strategjike të elementëve të sigurisë kombëtare, Shqipëria ka probabilitetin të pësojë më shumë humbje nga një krimb që ha çdo ditë dhe pa u kuptuar trarët e saj, sesa nga një shpërthim i madh që do ti prishte pjesë të konsiderueshme të shtëpisë.
Shto koment