Një komandant rus i kapur nga forcat ukrainase ka dhënë një deklaratë të fuqishme, duke dënuar agresionin ushtarak të vendit të tij dhe i është lutur Ukrainës, që të tregojë “mëshirë” ndaj bashkatdhetarëve të tij.
I burgosuri, një nënkolonel i Gardës Kombëtare të Rusisë, pretendoi se ai dhe shokët e tij ushtarë ishin gënjyer për Ukrainën, duke thënë se ishte gati të “shkonte në burg” për pushtimin.
Nënkoloneli Dmitry Mikhailovich besohet të jetë ushtari më i vjetër rus, që ka folur kundër pushtimit deri më tani. Ai u tha gazetarëve se ishte në ekipin e njësisë së reagimit special të Gardës Kombëtare Ruse dhe se vendimi i Putinit për të pushtuar Ukrainën kishte ardhur papritmas, duke e zënë njësinë e tij në befasi.
I emocionuar, ai i kërkoi falje Ukrainës, duke u shprehur se “Nuk mund të gjej fjalë për t’i kërkuar falje popullit ukrainas”, ndërsa shtoi se do ta “kuptonte” nëse Rusia nuk do të falej kurrë për këtë që po bën.
Ai i kërkoi Ukrainës që t’i lërë të jetojnë ushtarët rusë, pasi sipas tij, “shumë prej tyre janë thjesht të turpëruar. Ata nuk duan luftë. Ne nuk duam të mbjellim vdekjen, është më mirë të mbjellim jetën”.
Më tej, ai pranoi se Rusia nuk mund të fitojë kurrë në Ukrainë, teksa u shpreh se “Rusia nuk mund të fitojë këtu. Edhe nëse shkojmë deri në fund. Ne mund të pushtojmë territorin, por nuk mund të pushtojmë njerëzit”.
Komandanti rus e mbyll mesazhin e tij, duke thënë se “pas pushtimit, rusët do të kishin turp të thonin se janë rusë”.
Shto koment