Welcome to Vlora

Bujar Leskaj : Sekti Rama u lë krizën energjitike në derë qytetarëve!

Kriza e energjisë i ka vënë të gjitha vendet evropianoperendimore, madje dhe shtetet e rajonit tone, në pozitë mbrojtëse ndaj konsumatorëve dhe bizneseve, duke parashikuar paketa të plota me mbështetje të drejtpërdrejta. Gjermania, me një paketë 65 miliardë euro, do të fillojë të shpërndajë këtë muaj dhe në vijim një pagesë 300 euro në muaj për punonjësit, pensionistët dhe studentët, për të përballuar kostot e energjisë së rritur këtë dimër. Franca do të japë çdo muaj për familjet me të ardhura të ulëta një çek 100-200 euro, në varësi të të ardhurave të tyre.

Pasi uli TVSH-në për energjinë elektrike nga 21% në 10% në shtator 2021 dhe nga 10% në 5% në qershor 2022, qeveria spanjolla deklaroi se familjet dhe bizneset e vogla nuk do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për gazin, që është burimi kryesor i energjisë. Më 24 gusht 2022, qeveria e Kosovës shpërndau 41 milionë euro si ndihmë e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Masa të ngjashme kanë marrë edhe qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Po qeveria e sektit të Liderit Global? Sekti Rama u lë dobiçin(krizën energjitike) në derë qytetarëve. Nga 1 tetori, energjia përtej fashës së 800 kilovat-orëve(kWh) do të kushtojë 42 lekë pa TVSH, ose rreth 5 herë më shtrenjtë se më parë.Qeveria gënjen kur thotë se brenda konsumit të 800 kWh përfshihen 96 përqind e familjeve shqiptare dhe nuk preken vetëm 4 përqind e tyre.

Pas mesit të nentorit, kur do të ftohet moti dhe mbi 350 mijë familje shqiptare nëpër qytete do të provojnë të ngrohen, 90 përqind e tyre do ta kryejne, si gjithmonë, ngrohjen nëpërmjet energjisë elektrike, kondicionerëve dhe furnelave elektrike. Me vënien në punë të kondicionerëve dhe furnelave ngrohëse, mesatarja e konsumit të familjeve shqiptare në ditët e dimrit rritet nga 600-700 kWh në 1200-1400 kWh. Nga rritja e çmimit të 1 kWh pas fashës 800 kWh preken shumica e familjeve tona dhe këtë qeveria e sektit nuk e thotë, e mban sekret. Vetëm pranon nën zë se në dimër preken më shumë se 4 përqind e familjeve nga rritja e çmimit të energjisë.

Nga rritja e çmimit të energjisë elektrike preken rëndë të 97 mijë bizneset e vogla të vendit, që punësojnë mbi 370 mijë vetë, kryesisht në biznese familjare, duke rrezikuar falimentime masive të sektorit bazë të ekonomisë.Në të vërtetë, të 100 milionë eurot shtesë në buxhetin e shtetit që sekti Rama mburret se do të arkëtojë më tepër në periudhën tetor-dhjetor 2022, me rritjen gati 5 herë të çmimit të energjisë elektrike, do të përballohen nga qytetarët. Fatura do të rëndojë edhe mbi shtresat në nevojë dhe familjet me të ardhura modeste, që nuk mund t’i lënë kurrsesi fëmijët dhe të moshuarit e tyre të ngrijnë në kohë të ftohtë.Në vend që të ulë sa më parë TVSH-në për energjinë elektrike nga 20 përqind në 5 përqind dhe të subvencionojë direkt me pagesa mujore familjet në nevojë, të pezullojë lëvizjet e administratës publike për shërbime jashtë shtetit dhe të ulë në minimum shpenzimet administrative, sekti Rama ndërton në oborrit e Mbretit Lakuriq(në oborrin e Kryeministrisë) një kopësht me dru dhe bimë, me vlerë 3.7 milionë euro! Që Lideri Global të lërë gojëhapur drejtuesit e shteteve që do të vijnë ta takojnë.Deri këtu shkon fantazia e sëmurë dhe e shfrenuar e drejtuesit të sektit nëndëvjeçar në Shqipëri, në një kohë kur çmimet e mallrave të shportës janë rritur me 76 përqind, nga 1 shtatori 2021 në 1 shtator 2022 dhe varfëria masive e emigracioni galopant kanë rrënuar konsumin dhe perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.