Welcome to Vlora

Zbardhen detajet tronditëse, serbët mbajtën peng për 17 ditë trupin e 28-vjeçarit shqiptar që vdiq në burg

Dy ditë më parë u raportua për vdekjen e një kosovari në një burg të Serbisë. Familja Zymberi nga qyteti i Pejës bëri të ditur se djali i tyre, Artan Zymberi ka vdekur në burgun e Serbisë, Sremska Mitrovica, ku sipas dyshimeve të kësaj familjeje, ai është vrarë në këtë burg, vetëm sepse kishte tatuazh në gjoks; Adem Jasharin, emblemën e UÇK-së, dhe Skënderbeun.

Një familjar i Zymberit, në kushte anonimiteti kanë thënë se sot kanë shkuar për ta marrë trupin e pajetë të Artanit, por se Policia serbe, i ka kthyer mbrapsht.

“Neve na kthynë, nuk na lanë me hy në Serbi. Kinse për mungesë dokumenti, por Serbia na ka qitë afate. Nuk po dojnë me na dhanë trupin, sepse po dojnë me fsheh fakte. Kemi frikë se e kallin kufomën. E kemi një avokat norvegjez. Qëllimi jonë është ta marrim trupin dhe t’a bëjmë obduksionin. Megjithatë ne jemi nis prapë, sepse kemi frikë se e djegin trupin e tij. ka thënë ky familjar në kushte anonimiteti për Nacionalen.

Artani ka qenë shumë i lidhur me Kosovën. E kemi “amanet” prej tij ta varrosim në Kosovë, ka thënë tutje familjari.

Xhaxhai i Artanit, Nexhat Zymberi ka bërë të ditur se i ndjeri një vit më parë ishte arrestuar në Serbi për posedim të disa tabletave. Atje iu caktua masa e burgimit për 3 vjet, por që sipas tij, pas dhjetorit do të transferohej në Norvegji.

Sipas xhaxhait, përgjatë një viti, prej kohës kur nipi i tij ishte në burg, nuk e kanë takuar asnjëherë, gjithmonë me arsyetime të ndryshme.

Këtu lindin edhe dyshimet e familjes, që shprehen se vrasja mund të ketë ndodhur për shkak të “tatuve” të Adem Jasharit, Skënderbeut, Shqiponjës e UÇK-së.

Ndërsa ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Meçan Zotaj thotë se shteti serb ka lejuar tërheqjen e trupit të 28-vjeçarit nga Kosova, Artan Zymberi, 17 ditë pasi ai humbi jetën në burg.

Në një intervistë për Euronews Albania, Zotaj u shpreh se autoritetet serbe janë munduar me çdo kusht që të mbulojnë çdo dhunë dhe terror që është ushtruar në trupin e Artanit.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria duhet të dërgojnë ekspertët e tyre për autopsinë e trupit.

“Pas 17 ditësh, shteti serb ka lejuar që të tërhiqej trupi i tij, ata janë munduar me çdo kusht që të mbulojnë çdo dhunë, çdo terror që është ushtruar në trupin e Artanit. Dhe pas 17 ditësh, me insistim të shtetit të Norvegjisë, me kërkesë të familjes. Ata e kanë lëshuar trupin, dje ka udhëtuar për në Norvegji. Me kërkesën e familjes, autopsia do të bëhet atje.

Është e udhës dhe është e domosdoshme që Kosova të dërgojë ekspertët e vet, të bashkëpunojë me Norvegjinë, por edhe Shqipëria si të drejtë kushtetuese që e ka të kujdeset për çdo shqiptar që gjendet jashtë trojeve shqiptare kudo që janë, nuk do të ishte keq që të dërgonte një ekspert të autopsisë nga ana e saj që të bëhej një komision që të zbardhet e vërteta për një djalë të ri, i cili thjesht e donte jetën dhe e donte atdheun aq shumë”, theksoi ai.

Sipas xhaxhait të Artanit, arsyeja pse nipi i tij u arrestua në kufirin Kosovë-Serbi ishin tatuazhet në trup me flamurin kombëtar.

Ai beson që Artani ka humbur jetën pas torturave që i janë bërë gjatë vuajtjes së dënimit të tij si dhe pas zjarrit që përfshiu burgun më 21 nëntor 2022.

 Zotaj u shpreh se Zymberi u arrestua dhe fillimisht u akuzua për trafikim të lëndëve narkotike, sepse në makinë iu gjetën pilula, por kjo akuzë ra pas faktimit nga Norvegjia, shtet në të cilin jetonte i riu, se ato ishin medikamentet me të cilat ai trajtohej.

Zotaj bëri të ditur se pas kësaj, Zymberi u akuzua për terrorizëm.

“E kanë arrestuar, janë munduar t’i ngjisin 100 lloj mënyra akuzash dhe kur kanë parë në trupin e tij, fotografinë me shqiponjë, kanë parë tatuazhin e Adem Jasharit dhe Gjergj Kastriotit, kanë instensifikuar të gjitha mënyrat e presionit ndaj Artanit dhe e kanë arrestuar. Ai mund të ketë rezistuar për krenarinë e tij kombëtare dhe akuza për të cilën serbët e mbajtën 19 muaj dhe që e kishin dënuar për 3 vjet, është shumë qesharake, ata e kanë akuzuar për terrorizëm, ndërkohë që Artani është 28-vjeçar, as nuk kishte marrë pjesë në luftën e Kosovës, as nuk iu gjend ndonjë armë, ishte thjesht një emigrant që kthehej nga Norvegjia në Kosovë.

Artani ka pasur kokrra të vogla, pilula për dhimbje të kokës, të cilat ata janë munduar t’i  ngjesin akuzën për prodhim të lëndëve narkotike. Por kur ato janë faktuar nga shteti norvegjez se Artani mjekohej, ishin të gjitha me recetë. Kur ra poshtë puna e medikamenteve, ata e kthyen akuzën në terrorizëm. Ata kanë marrë jetën e një djali të ri, i cili thjesht demostronte ndjenjat e tij kombëtare, në veturën e tij, në trupin e tij, ashtu sikurse shumë serbë demostrojnë nëpër Kosovë me flamurin e tyre”, theksoi ai.

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.