Harta e Shqipërisë është veshur “rozë” pas zgjedhjeve lokale të 14 Majit. Siç shihet dhe nga grafika, Partia Socialiste ka fituar zyrtarisht disa bashki dhe kryeson bindshëm në pjesën tjetër, në 54 zona. Ndërkohë, opozita kryeson deri tani në 7 bashki.
Bëhet fjalë për katër bashki në zemër të veriut të Shqipërisë, si Hasi, Fushë Arrëzi, Puka dhe Mirëdita. Tre bashkitë e tjera ku koalicioni “Bashkë Fitojmë” kryeson dhe ka gjasa të fitojë, janë Rrogozhina, Memaliaj dhe Kuçova.
Në këto zgjedhje, grupimi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj nuk ka mundur të fitojë apo të ketë kryesinë asnjë bashki. Për pak orë, kandidati Leonidha Papa doli i pari në Finiq, por rezultati shpejt u përmbys nga kandidati i MEGA-s, Romeo Çakuli.
Ky i fundit, zyrtarisht mbështetet nga Partia Socialiste.
Pjesa tjetër e Shqipërisë, referuar hartës dhe të dhënave të nxjerra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është fituar ose kryesohet nga kandidatët socialistë. Pritet që pasditen e kësaj të hëne, procesi i numërimit të ketë mbaruar në të gjitha qendrat e votimit dhe vendi të ketë kryebashkiakët e rinj.
Shto koment