Është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u shpall Muze Kombëtar. Vetë godina dhe gjithcka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë hedhur themelet e shtetit shqiptar.
Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së pavarësisë. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridorë. Në të janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe, pesha e së cilës i kalon caqet lokale.
Për herë të parë pas shumë dekadash, godina e Muzeut të Pavarësisë u rehabilitua plotësisht në vitin 2002, me rastin e 90 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Me këtë investim, ky objekt mori vlera të tjera dhe u bë më i pëlqyeshëm për vizitorët. Mjediset e tij i vizitojnë cdo ditë, dhjetra qytetarë.
Ai ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në afërsi të portit.
Shto koment