Ndërgjegjësimi i publikut dhe rritja e transparencës mbi misionin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Zyrës së ILD-së, si një dimension i rëndësishëm pune, u materializuan përmes një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani dhe Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Roland Zisi.
Memorandumi parashikon disa mënyra bashkëpunimi, që nga leksionet e hapura, tek projektet e përbashkëta që kanë në fokus edukimin ligjor dhe profesional, e deri tek mundësia që studentët e Departamentit të Drejtësisë të zhvillojnë praktikën pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani tha se, institucioni që drejton ka të gjithë vëmendjen për të mbështetur rritjen profesionale të brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë, si një kontribut konkret për demokratizimin e shoqërisë e konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Nga ana e tij, rektori Roland Zisi vlerësoi bashkëpunimin e vendosur me Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një mënyrë konkrete për shfrytëzimin e kapaciteteve të përbashkëta në mbështetje të programeve edukuese që i shërbejnë komunitetit të studentëve.
Bashkëpunimi konkret me fakultetet e drejtësisë së universiteteve është një synim i bërë publik nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që do vijojë edhe në universitete të tjera të vendit.
Shto koment