Mesditën e sotme pritet të zhvillohet gjyqi për Fredi Belerin, kandidati për kryebashkiak të Himarës, i cili u arrestua për “blerje votash”, arrestim ky që ka shkaktuar reagime të forta nga opozita dhe nga shteti grek.
“Arrest me burg”, pritet të kërkojë prokuroria e Vlorës për kandidatin për bashkinë e Himarës dhe bashkëpunëtorin e tij Pano Kokaveshi. Ndaj tyre prokuroria ka ngritur akuzën për veprën penale të “Korrupsionin aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.
Beleri u arrestua natën e së enjtes e për këtë arrestim, kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se “nuk do të pranojë”.
“Nëse Shqipëria dëshiron t’i afrohet BE-së, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme bashkiake”, ka qenë mesazhi i kryeministrit grek.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, krahas udhëzimeve që i dha qeverisë së Shqipërisë për progres, theksoi se “arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie dy ditë para zgjedhjeve nëse nuk ka prova të forta, përbën një skandal”
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Fredi Beleri u arrestua për akuzën e shit-blerjes së votës për zgjedhjet e së dielës.
Ditët e fundit ai ka qenë në qendër të akuzave të kryeministrit Edi Rama për deklaratën e bërë në mediat greke për helenizimin e Himarës.
Ai u ndalua para lokalit të tij bashkë me 3 persona të tjerë, avokati, dhe përfaqësues të shtabit elektoral.
Beleri u akuzua për veprat penale: “korrupsionit aktiv për zgjedhje kryer në bashkëpunim”.
Beleri ka deklaruar se nuk është i përfshirë në shit-blerje të votës, por pavarësisht kësaj, është lënë në burg. Nga ana tjetër, Greqia bën thirrje për lirimin e tij. Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias kërkon lirimin e Belerit, nëse s’ka prova.
Shto koment