Welcome to Vlora

Albcontrol në kërkim të 30 kontrollorëve të rinj për Aeroportin e Vlorës dhe Rinasit

Albcontrol, agjenci shtetërore që ofron shërbimet e navigimit ajror, ka kërkuar së fundmi të rekrutojë 30 kontrollorë të rinj për nevojat lidhur me zgjerimin e kapaciteteve të infrastrukturës ajrore në vend.

Në faqen e tij Albcontrol ka specifikuar se të paktën 18 kontrollorë do të rekrutohen për kullën e Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) dhe 12 kontrollorë për Qendrën e Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).

Albcontrol ka specifikuar se kushtet që duhet të përmbushë një aplikant janë: të jetë i lindur pas 31.3.1998 pra më pak se 25 vjeç, të ketë një diplomë Bachelor si dhe gjuhën angleze, dëshmi të aftësisë në punë dhe mjekësore si dhe përdorim të programeve kompjuterike. Aplikimet sipas Albcontol do të qëndrojnë të hapur deri në 31 janar të vitit të ardhshëm.

Rritja e intensitetit të fluturimeve nga Aeroporti i Rinasit ku parashikohet shtimi i itinerareve të rinj por edhe flukset turistike duket se kërkojnë angazhimin e kontrollorëve të rinj në strukturat e Tiranës. Ndërkohë që Aeroporti i Vlorës është aktualisht në ndërtim nga konceisonari i cili ka këtë të drejtë për 35 vite. Fitues i kësaj kontrate ishte Mabco Construction (Mabetex Group) e biznesmenit Behgjet Pacolli, me 50% të aksioneve, turqit e YDA-Group, me 48% të aksioneve dhe 2A Group me 2% të tyre.

Gjatë vizitave në kantier nga përfaqësuesit e qeverisë në zonën ku po punohet për Aeroportin e Vlorës është deklaruar se ai do të jetë i përfunduar në prill të vitit 2024.

Funksionimi i Albcontrol dhe puna e kontrollorit njihej pak në vend deri në prill 2021 kur u bë kryefjalë e çdo medie për shkak të pezullimit të punës nga ana e kontrollorëve të cilët ishin të pakënaqur me trajnimin e tyre financiar. Ky i fundit ishte rishikuar në ulje për shkak të uljes së volumit të trafikut në kohën e pandemisë. Në atë kohë pagat e kontrollorëve u bënë virale në rrjetet sociale duke u klasifikuar si ndër punonjësit që paguhen më mirë sesa shumica e institucioneve publike dhe private në vend.

ALBCONTROL është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, pronë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. U krijua si ndërmarrje shtetërore në vitin 1992 dhe, në 3 shkurt 1999, u transformua në shoqëri aksionare, e quajtur Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror. /Monitor

Shto koment

Follow us

Don't be shy, get in touch. We love meeting interesting people and making new friends.