WelcometoVlora

Rama zbarkon në Vlorë : Dështimet e sulmeve të këshilltarëve ndaj Dritan Lelit

Pak kohë më parë, menjëherë pas zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama deklaroi për kryetarin e bashkisë së Vlorës Dritan Leli se, ‘për ne ka vdekur’. Por duket se organizimi i ‘funeralit’ të tij nuk ka qenë aq i lehtë sa e kishte menduar Rama.

Një sulm i paprecedentë po vazhdon që atëherë e në vijim ndaj kryebashkiakut ‘rebel’, i cili refuzoi ‘të madhin’ që të largohej nga drejtimi i bashkisë dhe të futej në një vend të pasigurt në listën e deputetëve për Vlorë.

Gjatë ditëve të fundit në Vlorë është zhvilluar një situatë sa qesharake dhe dramatike mes Lelit dhe Këshillit Bashkiak, (Në hije Damian Gjiknuri), për të zhvilluar një mbledhje e cila është planifikuar që të marrë formën e një gjyqi publik ndaj kryebashkiaku, që është vendosur në qendër të hakmarrjes së kryeministrit.

Deri më tani të gjitha tentativat e këtij ‘gjyqi’ kanë dështuar, ndaj duket se Edi Rama ka vendosur që ta marrë situatën vetë në dorë në këtë fundjavë.

Mësohet se ai ka mbërritur paraditen e kësaj të premte në qytetin e Vlorës, i shoqëruar edhe nga një tabor ministrash të qeverisë. Rama shoqërohet nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ajo e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku si dhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, ndërkohë që në axhendën zyrtare të takimeve do të jetë dhe ai me rektorët e universiteteve në të gjithë vendin.

Gjithashtu Rama do të ketë një takim, edhe me asamblenë socialiste të Vlorës, ku mësohet se pjesë kryesore e diskutimit do të jetë dhe përplasja e vazhdueshme me kryebashkiakun Dritan Leli dhe dhënia e një zgjidhje të shpejtë të kësaj situate.

Ashtu siç e cekëm edhe më lart, mbi Lelin vazhdon një furtunë akuzash dhe bllokimesh nga ana e socialistëve dhe këshillit bashkiak me synimin që të paktën të detyrohet që të japë dorëheqjen.

Add comment