WelcometoVlora

“Netët e Bejkës së Bardhë”, këtë fundjavë Piluri kthehet në kryeqendrën e muzikës, kujtohet Lefter Çipa, Princi i polifonisë shqiptare

“Netët e Bejkës së Bardhë” që zhvillohet në Pilur të Himarës këtë fundjavë, në datat 5 dhe 6 qershor, na rikthen bukur polifoninë, dhe kujtimin e të madhit, princit të polifonisë Lefter Çipa.

Bardi i polifonisë Lefter Cipa u nda nga jeta këtë vit, në 18 shkurt, vetëm katër ditë pasi kishte festuar ditëlindjen. Por kënga, që aq e deshi, nuk do të shuhet. Eshtë vëllai I tij, Kristo Çipa që është marrë me organizimin e festivalit dhe duhet thënë, që në këtë fundjavë, hotelet e Himarës janë plot, të prenotuara nga grupe muzikore dhe turistë të shumtë që do të shijojnë festivalin rrëzë rrapit në Pilurin e Leferit.

“Në një vendlindje, ku vatra nuk e shuan zjarrin e këngës, drita ka fronin e saj. Kënga shqipe në Pilur ka fronin e vet” thoshte i madhi Lefter Çipa. Dhe me këtë devizë, organizatorët kanë ftuar gjithë vizitorët për “Netët e Bejkës së Bardhë”. “Eja në Pilur, në 5 dhe 6 qershor, për një natë të bukur me “Këngët e Atdheut tim”, shkruajnë organizatorët.

Festivali “Netët e Bejkës së Bardhë” synon të promovojë traditat më të mira të zonës në funksion të turizmit. Ndër të tjera synohet të përcillet në breza vlerat më të mira të zonës, nëpërmjet këngës.

Festivali organizohet për të disatin vit rresht, ndërsa Piluri kthehet për dy ditë në kryeqendrën e polifonisë shqiptare.

Add comment