WelcometoVlora

Atentati në Vlorë/ Zbardhet dëshmia e parë e të plagosurit, pistat kryesore të hetimit

Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i regjistruar pak para mesnatës së djeshme në Vlorë ku mbeti i plagosur 38-vjeçari Edison Begaj.

Në dëshminë paraprake të dhënë për grupin hetimor, mësohet se Begaj ka thënë se nuk ka asnjë lloj dyshimi mbi autorin apo autorët e kësaj ngjarjeje.

Deri më tani, policia ka shoqëruar 8 persona të dyshuar që kanë lidhje me ngjarjen, si dhe ka mbledhur kamerat e sigurisë, që të çojnë në fshatin Kaninë, për të identifikuar automjetin e përdorur nga autorët.

Burime pranë bluve të Vlorës, bëjnë me dije se atentati ka të bëjë me dy motive dhe dy pista hetimi; larje hesapesh si dhe për lëndë narkotike, pazare droge.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në fshatin Kaninë, Vlorë. Autorët e kanë pritur 38-vjeçarin në hyrje të banesës së tij dhe e kanë qëlluar me katër plumba në këmbë, duke e lënë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën.

Edison Begaj është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Më 20 shkurt të vitit 2008, policia e Vlorës përfundoi operacionin e koduar “Qiriu i ndezur”, i cili i dha fund veprimtarisë 10-vjeçare kriminale të një bande e cila trafikonte drejt Italisë drogë dhe armë. Aksioni i shtrirë në Vlorë, Fier, Kavajë dhe Lushnjë çoi në pranga shtatë persona, mes tyre edhe Edison Begajn, banues në Vlorë.

Në 19 mars të 2015 kur policia pikas një automjet i cili dyshohej se mbarte lëndë narkotike Edison Begaj së bashku me tre te tjerë i kanë hapur zjarr policisë dhe më pas efektivët kanë arritur ta arrestojnë duke shpëtuar tre shokët e tij. Në ngjarje mbeti i plagosur lehtë një polic.

Më 18 maj 2020 personi në fjalë ka qenë subjekt i OFL sëbashku me katër persona të tjerë në listën e Vlorës.

Add comment