WelcometoVlora

Shqiptarët po rendin drejt punës së pavarur online, a është ky vetëm një trend?

Tregjet e pavarura të cilat ofrojnë mundësi të ndryshme punësh në internet dhe pandemia nga Covid-19 duket se kanë mbërthyer pas vetes edhe shumë të rinj nga Shqipëria që i janë dorëzuar tërësisht “botës së re digjitale.”

Sipas të dhënave nga Swissa (Dhoma e Tregtisë Zvicero-Shqiptare) mbi 2 mijë të rinj shqiptarë kanë punuar online nga shtëpia për kompanitë e huaja përmes platformës ndërkombëtare Fiverr gjatë vitit 2020.

Kjo platformë e cila ofron shërbime të pavarura duke filluar nga shkrimi i artikujve, shkrimi i kartolinave, përkthimi, dizejnimi i logove, marketingu, editimi i videove, leximi i shkrimeve me anë të regjistrimit me audio e mbi 500 kategori të tjera punësh të pavarura, përdoret nga 3,42 milionë individë dhe çdo vit gjeneron 189.51 milion $ të ardhura vjetore. Punëtorët e pavarur krijojnë profilet e tyre sëbashku me llojin e punës që ata ofrojnë dhe të gjithë punëdhënesit të cilët kanë nevojë për atë lloj shërbimi ndërtojnë një rrjet bashkëpunimi ku për secilin shërbim ata i paguajnë duke filluar minimumi nga 5$.

Nuk ka nevojë për një kontratë e as për një rregullator por thjesht për një mirëkuptim mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Të dhënat nga Swissa tregojnë se shqiptarët ofruan shërbime informatike, përkthimi, menaxherë rrjetesh sociale dhe konsulentë ndërsa punëdhënësit, kryesisht amerikanë, kanë treguar se janë të etur për tregun ballkanas sepse punojnë shumë dhe nuk kërkojnë paga të larta.

Një ndër të rinjtë shqiptarë që kanë zbuluar këtë platformë dhe aktualisht punon për të, është edhe Elisona e cila deri para dy muajsh punonte si ekonomiste në një biznes të vogël në Tiranë.

“Fiverr-in ma tregoi një shoqja ime që punonte aty për disa amerikanë dhe që në momentin kur e dëgjova e kuptova se ajo ishte puna që doja të bëja dhe se padyshim do të ishte puna e të ardhmes.

Unë shkruaj artikuj për tema të ndryshme që më jepen çdo mëngjes nga punëdhënësi im. Të mirat që të ofron kjo lloj pune janë të shumta duke filluar nga fakti që së pari nuk duhet të zgjohesh në mëngjes, të ikësh për në zyrë dhe të punosh 8 orë.

Kjo lloj pune të jep fleksibilitetin të punosh nga ku të duash dhe në çfarë ore të duash. Ka ditë që nuk dua të shkruaj më shumë se dy artikuj dhe askush nuk më thotë gjë për këtë.

Nuk kam një shef i cili më rri mbi kokë dhe do të mbyllur punën në fund të ditës. I vetmi presion në këtë mes është presioni i parave, nëse unë dëshiroj që të fitoj shumë para në një ditë mund të ulëm dhe të zgjedh të bëj disa artikuj, në rast të kundërt mund të mos bëj asnjë.

Pra nuk ka një rregullator, ti dorëzon punën dhe për atë paguhesh. Nga vështirësia e temës së artikullit ndryshon edhe pagesa, artikulli më i thjështë është rreth 5 mijë lekë të vjetra shqiptare.

Ajo që më pëlqen tjetër në këtë platformë është dhe larmishmëria e punëve që ofrohen. Aty ka dhe njerëz që japin këshilla për jetën në çifte dhe paguhen për atë gjë.

“Së fundmi, unë kam nisur të bëj edhe disa poste si menaxhere instagrami për një biznes amerikan dhe po e shijoj shumë si eksperiencë, është një përfitim i dyanëshëm.”

Pagesa për standardin shqiptar është shumë e lartë dhe e kënaqshme edhe për amerikanët të cilët në raport me standardin e tyre kjo u duket një pagë e ulët.”-tregon ajo për gazetën “SI”duke shtuar se digjitalizimi do të vijojë të tërheqë akoma më shumë të rinj në platforma të tilla dhe se eventualisht kjo do të kthehet në punën e së ardhmes.

Por a do të jetë realisht puna e pavarur e ardhmja apo është thjesht një trend “i nxehtë”?

Ekonomistë dhe sondazhe nga bota vlerësojnë se teknologjia dhe digjitalizimi po na dërgojnë gjithnjë e më shumë drejt këtyre punëve.

“Ekonomia e pavarur është rritur në mënyrë eksponenciale gjatë dekadës së fundit dhe unë besoj se tani mund të themi vendosmërisht se e ardhmja e punës ka mbërritur. Pengesat që mund të ngadalësojnë ose pengojnë aftësinë e profesionistëve të pavarur për t’u rritur dhe për të qenë të suksesshëm janë hequr ”, thotë Scott Galit, drejtor i Pyoneer.

“Përkthyes dhe punëtorë të tjerë që bëjnë punë të pavarura nga të gjitha sferat e jetës dhe çdo cep i botës janë të autorizuar të fitojnë punë, të përcaktojnë pagat e tyre, të tregtojnë aftësitë e tyre dhe të paguhen si dhe kur të duan. Misioni ynë është të heqim kompleksitetin dhe shqetësimin nga biznesi ndërkombëtar për të gjitha palët, duke ofruar shërbime financiare që u mundësojnë njerëzve të përfitojnë nga lulëzimi i mundësive globale dhe të jemi një katalizator për bizneset në mënyrë që ata të gjejnë profesionistët e vërtetë dhe aktiviteti i tyre të rritet.”

Në fakt të njëjtën gjë mendon edhe Arditi, një 28 vjeçar që ka mbaruar për juridik por ka zgjedhur të punojë duke bërë disa logo për lloje të ndryshme biznesesh në Fiverr.

Ai tregon për gazetasi.al se pagesa më e ulët që ka marrë për një logo është 60 mijë lekë të reja shqiptare ndërsa pagesat e tjera kanë qenë relativisht shumë më të larta dhe se sipas tij nuk ia vlen kurrsesi të zgjedhësh të ushtrosh profesionin që ka studiuar në Shqipëri. Në një moment të tillë kur bota ka hyrë nën kllapinë e teknologjisë e kur tabloja e punëve që bëhen online sa vjen e ngjyroset më shumë, puna e pavarur mund dhe të jetë një trend i nxehtë por me shumë gjasë do të jetë një trend që zgjat…

Marrë nga GazetaSI

Add comment